“Joserioze! Lojë, tallje”, Hamza, Haradinja e Mustafa reagojnë ndaj propozimit të Kurtit për çështjen e presidentit

TË FUNDIT

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza tha sot se propozimi i fundit i LVV-së për çështjen e presidentit të Kosovës është joserioz.

Në lidhje me: Kurti: Opozita bashkërisht të propozojnë 3 kandidatë për për president, jashtë skenës aktuale politike!

“Çfarë ofertë, ajo nuk është ofertë, Ajo është ofertë aspak serioze”, tha ai para se të hyjë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.

Ai shtoi se për PDK-në kjo çështje vazhdon të jetë temë e mbyllur.

-Propozimi i fundit për çështjen e presidentit, i bërë të shtunën nga kryeministri dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, është lojë dhe tallje me qytetarët, tha kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Sipas këtij të fundit, oferta që lideri i Vetëvendosjes bëri për PDK-në dhe LDK-në që këto dy parti të dalin me tri propozime unifikuese për presidentit, nga i të cilët njëri do të zgjidhej, nuk është kredibile.

“Jemi dy ditë para se të kryhet afati kushtetues. Është e kuptueshme që loja e Kurtit, strategjia e tij do të vazhdojë kështu me këto veprime”, tha Haradinaj, para seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. “Këtë që po e thotë sot ka mundur ta thotë ditën e parë. Kjo është një lojë dhe tallje me qytetarët dhe këto oferta nuk janë kredibile dhe askush nuk e dit nëse këto që po i thotë i zbaton apo e ka për ta mbuluar fajin e tij për dërgimin e vendit në zgjedhje”, shtoi Haradinaj.

Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës janë kundërpërgjigjur, duke i kërkuar VV-së që bashkë me PDK-në  të propozojnë tre emra dhe që së bashku me votat që i kanë të zgjidhnin presidentin me lehtësi.

“Unë i ftoj LVV-në dhe PDK-në që së bashku të propozojnë 3 emra për President, kandidatë jashtë skenës aktuale politike. Së bashku do ta zgjidhnin Presidentin me lehtësi me 88 vota (LVV 66 + PDK 22). Për shkak të afateve kushtetuese, i pres deri nesër në mesnatë”, ka shkruar Besian Mustafa.