Shefja e re e PTHP NKOK, Haxhi Vasileva: Do të jemi më të vendosur në ndjekjen e rasteve që prekin interesin publik

TË FUNDIT

Shefja e sapozgjedhur e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), Iskra Haxhi Vasileva, ka deklaruar se prioritetet e saj kryesore do të jenë ndjekja penale efikase, puna gjithëpërfshirëse e Prokurorisë dhe shfrytëzimi maksimal i burimeve në dispozicion në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pas dhënies së deklaratës solemne sot para Këshillit të Prokurorëve Publikë, me rastin e marrjes së detyrës, Haxhi Vasileva theksoi se prioritetet tashmë janë përcaktuar dhe se ajo është mirë e njohur me gjendjen në fushën e kompetencave të Prokurorisë.

“Prioritetet janë të qarta, ndjekja penale efikase, efektiviteti në punën tonë dhe shfrytëzimi maksimal i burimeve që na janë vënë në dispozicion. Jemi të vetëdijshëm se një pjesë e tyre janë të kufizuara, por do të angazhohemi për sigurimin e më shumë burimeve dhe për shfrytëzimin sa më efikas të atyre ekzistuese, me qëllim arritjen e rezultateve më të suksesshme”, deklaroi Haxhi Vasileva.

Duke komentuar vlerësimet në raportin e fundit të Komisionit Evropian se nuk ka përparim në luftën kundër korrupsionit, shefja e re e PTHP NKOK tha se është e vetëdijshme për sfidat që sjell konteksti aktual.

“Do të përpiqemi të ofrojmë ndjekje penale më efikase dhe më të vendosur aty ku është më e nevojshme, përkatësisht në lëndët dhe situatat që prekin vërtet interesin publik dhe që kanë rëndësi për të gjithë ne, për qytetarët dhe për shoqërinë në tërësi”, tha Haxhi Vasileva.

Haxhi Vasileva u zgjodh në krye të PTHP NKOK në zgjedhjet e mbajtura më 28 tetor të këtij viti, duke marrë 64 vota nga gjithsej 171 fletëvotime të vlefshme.

Për këtë funksion garuan pesë prokurorë publikë: Faton Azizi, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviq, Iskra Haxhi Vasileva dhe Jovan Cvetanovski.

Gjatë prezantimit të programit të saj para Këshillit të Prokurorëve Publikë, ajo theksoi se fokusi i PTHP NKOK duhet të jetë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dukuri që cenojnë interesin publik, qetësinë e qytetarëve dhe përparimin e shoqërisë.

Zgjedhja e drejtueses së re u bë pas përfundimit të mandatit të shefit të deritanishëm të PTHP NKOK, Islam Abazi, i cili në këtë detyrë ishte zgjedhur në tetor të vitit 2022.