Jo të gjitha ministritë kanë kursyer rrymë, ditë më parë kryeministri foli për shkarkime

TË FUNDIT

Ministria e Shëndetësisë ka kursyer vetëm 2% të energjisë elektrike, ajo e Punëve të Jashtme dhe ministria e Mbrojtes vetëm 8% të rrymës, edhe pse sipas masave të Qeverisë u është kërkuar që të kursejnë 15%. Nga ana tjetër Ministria e Vetëqeverisjes Lokale ka rritur konsumin e energjisë edhe atë për 81% .

Nga komunat që nuk ia kanë vënë shumë veshin thirrjes për kursim të rrymës janë komuna e Haraçinës, Gostivarit dhe ajo e Shën Nikollës. Ndërsa nga ndërmarrjet që janë në pronësi shtetërore “Ekonomia e Ujërave” është institucioni i vetëm që ka rritur konsumin e rrymës.

Po çfarë sanksionesh do të ndërmerren për ministritë që nuk kanë respektuar masat për kursim të propozuara nga vetë Qeveria?

“Duke pasur parasysh se informacioni ishte dorëzuar në Qeveri mbrëmë dhe nuk ishte i pranishëm kryeministri i qeverisë sepse është në udhëtim zyrtar bashkë me ministrin e Financave dhe nuk u diskutua për pjesën e përgjegjësisë. Sa i përket “Ekonomisë së ujërave” janë ndërmarrë masat adekuate, ato do t’i kumtojë me siguri kryeministri. Kur të kthehet, edhe pse e kam brifuar unë personalisht, gjithashtu edhe këshilltari për energjetikë për të gjitha të dhënat, atëherë do ta themi qëndrimin si Qeveri për këto që nuk kanë kursyer energji elektrike sipas masave që I kemi sjell të gjithë së bashku”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Sipas Ministrit të ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ministrat përkatës duhet që para opinionit por edhe para qeverisë të arsyetojnë harxhimet.

 “E dini që ministria e Mbrojtjes është ministri specifike dhe aty nuk ka shumë hapësirë për kursim të energjisë elektrike, por ato duhet të arsyetojnë edhe para opinionit publik edhe para qeverisë se përse kanë arritur përqindje të tilla”, pohoi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

E kryeministri Dimitar Kovaçevski, ditë më parë, ende pa i parë të dhënat për harxhimet në mënyrë të detajuara,  u lavdërua se ministritë kanë kursyer, përndryshe do të kishte shkarkime.

“Të gjithë kanë kursyer. Të gjitha ministritë. Pse, sepse po të mos kishin kursyer, do të kishte një ministër të ri në atë ministri”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Se a do të shkarkohet ndokush ose jo, mbetet të shihet!

Krahasimi për kursim të energjisë është bërë me muajin shtatori të vitit 2022 me shtatorin e në vitit të 2021. Sipas të dhënave, Qeveria ka kursyer 25%, Kuvendi 29 %, Presidenca 17%, ministria e Kulturës 40% ndërsa e Arsimit 35%.