Vetëm 200 mijë euro na ndajnë nga pandemia me HIV, alarmuan organizatat qytetare për mbrojtje nga HIV. Rreth 14 organizata për së dyti herë me radhë protestuan para Qeverisë kundër vendimit për shkurtimin e buxhetit për 40% në sistemin për mbrojtje nga HIV. Ata e kërkojnë të kundërtën. Rritje të investimeve në mbrojtjen shëndetësore dhe shëndetin publik.
“Shkurtime të mjeteve për parandalim të sëmundjes, buxhet i pamjaftueshëm për shërim të pacientëve të ndryshëm, qytetarë të shkyçur nga qasja për mbrojtje themelore shëndetësore dhe e gjithë kjo prezantohet si kursim, si punë ekonomike dhe racionale. Sot jemi këtu t’i themi jo kursimit në llogari të shëndetit të njerëzve”, u shpreh Adrej Senih nga Shoqata “Së bashku më të fortë”.
Drejtoresha ekzekutive e HOPS, Hajdi Shterjova Simonoviq, thotë se shkurtimi i buxhetit nga programet preventive për parandalim të HIV-it, do të thotë përjashtim i disa mijë qytetarëve dhe familjeve të tyre nga sistemi për mbrojtje shëndetësore dhe sociale.
“Shteti social asnjëherë nuk shkurton në sistemin shëndetësor dhe social. Shteti social investon aty ku është më se e nevojshme. Në shtetet sociale vendosen tatime progresive dhe tatime të luksit me qëllim që të sigurohet mbushje e vazhdueshme e buxhetit në mënyrë adekuate”, thotë Simonoviq.
Me shkurtimin e buxhetit është hequr edhe masa për acid folik pa pagesë për gratë nga kategoria e ndjeshme sociale.
“Në program aspak nuk ka buxhet për masën e cila parasheh acid folik pa pagesë për secilën grua, masë e cila është më se e nevojshme për gratë nga kategoria e ndjeshme sociale, për zhvillim normal të embrionit në 3 muajt e parë të shtatzënisë”, thotë Almira Fasliji Muarem nga “Iniciativa e grave nga Shuto Orizara”.
Nga Shoqata ESE theksuan se edhe pse buxheti është i ulët, Ministria e Shëndetësisë çdo vit ka shkurtuar nga 10% nga buxheti për programe preventive.
“Buxheti për mbrojtje shëndetësore preventive i Ministrisë së Shëndetësisë paraqet vetëm 9% të buxhetit, që do të thotë se mbrojtja preventive shëndetësore nuk është prioritet i këtij shteti në dekadën e kaluar, e madje edhe më shumë”, tha Borjan Pavllovsk, Shoqata ESE.
Mjetet nga programet preventive i shfrytëzojnë rreth 10 mijë qytetarë nga kategori të rrezikuara, ku përfshihen teste të shpejta për detektim të virusit HIV, kontrollet, diagnostikimi dhe trajtimi i sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, kontrolle në dermatolog dhe gjinekolog, teste PAP në zona rurale, mjete për parandalim e kështu me radhë, thonë nga organizatat.
