Jeta nën tokë, stacioni hekurudhor nëntokësor strehim për disa ukrainas

TË FUNDIT

Dhjetëra ukrainas jetojnë në stacionet nëntokësore të metrosë në Kharkiv, që janë shndërruar në strehimore derisa forcat ruse e vazhdojnë pushtimin e tyre. Nga fillimi i pushtimit ata strehohen nën tokë. Një prej tyre është Katerina e cila ende po i mban lulet që ia ka dhuruar bashkëshorti i saj për Ditën e gruas.

“Kuptohet, është e vështirë, këtu jemi tashmë 15 ditë. Shtëpia jonë ende nuk është prekur, megjithatë njerëzit përreth i humbin shtëpitë dhe banesat e tyre, tmerr. Më e tmerrshme është që njerëzit humbin jetën. Sendet materiale nuk janë të rëndësishme më, si dukeni, çfarë keni pasur, cilët ishin ëndrrat tuaj. Vetëm të mbijetojmë“, tha Katerina, banore e Kharkiv-it.

Mes tyre është edhe Jevhenija. Ajo thotë se është e hidhëruar dhe dëshpëruar nga deklaratat e autoriteteve ruse se “ukrainasit nuk janë komb”.

“Unë nuk jam nazist, nuk jam nacionalist, pa dallim nëse janë kinezë apo hebrenj. Si mund ta bëjnë këtë, madje edhe të thonë se ukrainasit nuk janë komb? Kush jemi? Çfarë jemi?”, theksoi Jevhenija, banore e Kharkiv-it

“Këtu jemi që nga fillimi i bombardimit. Jetoj afër metrosë. Fëmija jonë ka problem me të folurit, kemi frikë se tani ky problem do të jetë edhe më i madh. Erdhëm këtu për shkak të fëmijës. Përndryshe do të rrinim në banesë, deri në fund“, tha Larisa, banore e Kharkiv-it.

Kharkiv është një nga qytetet që pësoi më shumë dëme dhe mes qyteteve të parë që i sulmuan forcat ruse për shkak se është në vetëm disa kilometra larg kufirit me Rusinë ku janë luftimet më të ashpra. Që nga fillimi i pushtimit rus ndaj Ukrainës i cili filloi më 24 shkurt, në vendet fqinje kanë ikur mbi 2,5 milionë ukrainas.