Ministri i Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp, dha dorëheqjen të premten në mbrëmje, pasi dështoi të siguronte sanksione të reja kundër Izraelit për shkak të luftës në Gaza.
Veldkamp e kishte informuar parlamentin e vendit se kishte ndërmend të sillte masa të reja në përgjigje të ofensivës së planifikuar të Izraelit në Qytetin e Gazës dhe zona të tjera me popullsi të dendur, por nuk arriti të siguronte mbështetjen e partnerëve të tij të koalicionit, shkruan CNN.
Ish-ambasadori 61-vjeçar në Izrael u tha gazetarëve se mendonte se nuk ishte në gjendje “të zbatonte vetë politikat dhe të hartonte kursin që e konsideronte të nevojshëm”.
Pas dorëheqjes së Veldkamp, anëtarët e mbetur të kabinetit të partisë së tij të qendrës së djathtë, Kontrata e Re Sociale, gjithashtu dhanë dorëheqjen, duke e lënë qeverinë holandeze në rrëmujë.
“Shkurt, e kemi mbaruar”, tha kreu i partisë, Eddy Van Hijum, duke i quajtur veprimet e qeverisë izraelite “diametralisht të kundërta me traktatet ndërkombëtare”.
Qeveria holandeze u rrëzua në qershor, kur ligjvënësi anti-islam Geert Wilders u tërhoq nga koalicioni katërpartiak i vendit për shkak të një debati rreth imigracionit.
Tre partitë e mbetura qëndruan në një qeveri të përkohshme deri në mbajtjen e zgjedhjeve në tetor.
