“Jam në lojërat olimpike dimërore në Pekin”, kryetari i Federatës së Skitarisë ka kërkuar shpjegim për mungesë nga puna

TË FUNDIT

“I gjithë opinioni e di se jemi në Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin, vetëm kryetari i Federatës së Skitarisë së Maqedonisë, Ognjan Cigovski, nuk e di”. Kështu shkoi në profilin e tij në Fejsbuk, olimpiku Antonio Ristevski, një nga skiatorët më të mirë nga Maqedoniа, njëkohësisht edhe trajner i Dardan Deharit, përfaqësuesit tonë në Lojëra Olimpike Dimërore.

Ristevski ka 20 vjet që merret me këtë sport, kurse 7 vitet e fundit punon në Federatën e Skitarisë së Maqedonisë. Derisa po qëndron në Pekin, ka marrë e-mail nga kryetari i Federatës i cili ka kërkuar shpjegim se përse nuk ka shkuar në punë.

“Pikërisht në ditën kur u lëndua skiatori ynë më i mirë i cili është pjesëmarrës në LOD, sinqerisht shumë u preka, e nga ana tjetër isha shumë i nënçmuar”, tha Ristevski.

Ai thotë se Federata e Skitarisë fare nuk ka realizuar kontakt me të:

“Nuk më kërkuan fare përveç që mora letra me kërcënime, porosi e-mail, mora bile edhe procedurë disiplinore për shkak se isha në stërvitje me njërin nga skiatorët më të mirë të Maqedonisë”, tha më tej Ristevski.

Kjo nuk është hera e parë që Ristevski të marrë e-mail me “kërcënime” për largim nga puna, madje edhe procedurë disiplinore për arsye se ka qenë në stërvitje me njërin nga skiatorët tanë më të mirë. Por, për Ristevskin më shumë rëndësi ka që ta përsërisë suksesin e tij. Ka interes vetëm për skiatorët e talentuar të cilëve dëshiron t’ua përcjellë përvojën e tij, rezultatet dhe sukseset e arritura. Sjelljen e këtillë të kryetarit të Federatës e sheh si pengesë që ta arrijë suksesin e synuar. E pas kësaj, kryetari i Federatës doli me shpjegim. Kërkesën që e ka marrë Ristevski që ta shpjegojë mungesën e tij nga puna, e kanë marrë edhe të gjithë të punësuarit të cilët nuk e kanë arsyetuar mosardhjen e tyre, pa përjashtim dhe pa marrë parasysh arritjet private dhe personale në sport, thuhet në e-mailin e kryetarit të Federatës së Skitarisë.

“Fatkeqësisht, udhëheqësia e re e Federatës vërejti një situatë të mosrespektimit të detyrave profesionale nga ana e të punësuarve të cilët rregullisht çdo muaj marrin rrogë. I mësuar të sillet në mënyrë të papërgjegjshme, joprofesionale dhe joetike ndaj obligimeve profesionale në Federatë, në vend që të japë përgjigje – përse merr rrogë të plotë pothuajse një vit, e nuk vjen në punë, z.Ristevski shpalos të pavërteta dhe dezinformata në opinionin publik”, tha Ognjan Cigovski, kryetar i Federatës së Skitarisë.

Me sjelljen e këtillë, Ristevski i shkakton dëm të drejtpërdrejtë skitarisë së Maqedonisë, thotë kryetari Cigovski, duke akuzuar se pjesëmarrja e vetëm tre olimpikëve nga Maqedonia në LOD në Pekin dukej e mjerë. Në vend që t’i motivojë dhe t’u japë mbështetje të madhe sportistëve të rinj që kanë talent, ai ka zgjedhur të trajnojë vetëm dy sportistë me potencial të shënojnë rezultate të mëdha olimpike.