Edhe pse janë realizuar shumë takime dhe dy mbledhje të përbashkëta qeverie, mes Shqipërisë dhe Kosovës, ende nuk ka një bashkëpunim ekonomik ashtu sikurse flitet në letër dhe në marrëveshje. Këtë fakt e pohojnë jo vetëm bizneset që përballen direkt me vështirësi në dogana, por edhe institucionet që mbrojnë të drejtat e tyre siç është edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri.
Kreu i saj Nikolin Jaka në një intervistë për Kosovapress thotë se bashkëpunimi ekonomik ekziston vetëm si teori si “frymë” pasi nuk është në nivelin e duhur.
Jaka sheh pengesa gjithandej – si në radhët e gjata të makinave dhe turistëve që presin për të hyrë në Shqipëri dhe për të kaluar pushimet, ashtu edhe tek bizneset që përballen me lloj-lloj burokracish e tarifash në një kohë që dy kryeministrat flasin për unifikim e heqje kufijsh.
Jaka argumenton se problemi kryesor që ne, si dy shtete shqiptare, nuk kemi marrëdhënien e duhur ekonomike është se ende nuk kemi punuar për një strategji konkrete për të ditur dhe për ta pasur të qartë edhe vetë, se kush janë objektivat tona dhe ku duam të arrijmë. Madje ai shton se problemi ekziston në faktin se mes Shqipërisë dhe Kosovës marrëdhënia ekonomike funksionon me klane dhe lobime, ku përfitojnë ato biznese që janë ‘miq’ të qeveritarëve.
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Jaka ndalet edhe në zhvillimet e fundit ekonomike në Shqipëri. Ai komenton nismën e qeverisë Rama për të luftuar informalitetin dhe evazionin fiskal, duke e mbështetur plotësisht këtë reformë, pasi formalizimi i ekonomisë, siç e kanë treguar edhe vende të zhvilluara si Japonia dhe Gjermania, është rruga e vetme për një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë,” thotë ai.
Përkundër disa analistëve të ekonomisë që mendoj se ky aksion do të ketë edhe pasoja negative, Jaka thotë se nuk sheh asgjë negative në këtë operacion. Përkundrazi, ne si shoqëri duhet të mësohemi të respektojmë ligjin dhe nëse ne nuk mësohemi të punojmë nuk do realizojmë asgjë as për veten tonë dhe as për të ardhmen e brezave tanë.
