Izolimi për Pashkë, Merkel tërheq propozimin, iu kërkon falje qytetarëve

TË FUNDIT

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel e ka tërhequr propzimin për mbyllje pesë ditore gjatë Pashkëve në Gjermani, propozim ky që kishte provokuar kritika dhe konfuzion. Merkel ka kërkuar falje dhe është shprehur se ishte gabim vendimi për një mbyllje pesë-ditore në Gjermani gjatë Pashkëve.  

“Vendosa të jap këtë konferencë të minutës së fundit sepse vendosa të mos vijoj përpara me rregulloret e nevojshme për të lejuar ditët shtesë të pushimeve të enjten dhe të shtunën e Pashkëve. Unë kam vendosur të tërhiqem nga ky vendim. Dhe është e rëndësishme të thuhet: një gabim duhet të quhet një gabim, dhe mbi të gjitha duhet të korrigjohet sa më shpejt të jetë e mundur. Në të njëjtën kohë unë jam e vetëdijshëme se e gjitha kjo ka krijuar edhe më shumë pasiguri dhe unë pendohem thellësisht dhe kërkoj falje”. 

Në fjalimin e saj Merkel shpjegoi edhe arsyet e këtij vendimi.

“Për të qenë absolutisht e qartë, ideja e një mbylljeje gjatë Pashkëve u krijua me qëllimet më të mira pasi ne absolutisht kemi nevojë për të ndaluar këtë valë të tretë të pandemisë. Sidoqoftë, ideja e një mbylljeje më të rreptë gjatë Pashkëve ishte një gabim, kishte arsye të mira, por nuk ishte e mundur për një kohë kaq të shkurtër. Kishte shumë pyetje në lidhje me pagesat e pagave, orët e humbura të punës, situatën e dyqaneve dhe bizneseve dhe u bë e qartë se në këtë kohë të shkurtër pyetjet nuk mund të zgjidheshin siç duhet. Dhe për të folur përsëri në mënyrë të qartë: Ky gabim është i imi dhe vetëm i imi. Në fund të ditës, unë mbaj përgjegjësinë përfundimtare për gjithçka që i takon kësaj zyre”.

Plani i qeverisë gjermane ishte që të bënte të enjten e javës së ardhshme, një ditë para të premtes së madhe, “një ditë pushimi”, me të gjitha dyqanet e mbyllura, dhe të lejonte që vetëm supermarketet të hapen të shtunën e Pashkëve.

Meqenëse e premtja dhe e hëna janë tashmë pushime, kjo do të kishte krijuar një mbyllje pesë-ditore të jetës publike, mbi kufizimet ekzistuese të bllokimit, të cilat u zgjatën deri më 18 prill./21Media