Kreu i Partisë për Veprim Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviq, mbrëmë në konferencë për shtyp deklaroi se partia i humbi zgjedhjet lokale në Sarajevë, por fitoi në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ai theksoi se SDA ka fituar vendet për kryetar komune në 30 komuna dhe mbetet deri tani bindshëm partia më e fuqishme në Bosnje dhe Hercegovinë.
I pyetur se cila ishte arsyeja e humbjes në Sarajevë, ai tha se gjithçka do të analizohet.
“Se diçka ka ndodhur në Sarajevë, padyshim ka ndodhur. Ne kishim opozitë të fortë që u bashkua kundër nesh” tha Izetbegoviq, transmetoi “Avaz”.
“Rezultatet janë jozyrtare, bazuar në 90,95 për qind të votave të numëruara. Mund të thuhet se kemi humbur në Sarajevë dhe kemi fituar në Bosnjë dhe Hercegovinë. SDA fitoi vende për kryetar komunash në 30 komuna, ne mbetemi deri tani partia më e fortë në Bosnjë dhe Hercegovinë. Rezultatet do të jenë pothuajse të njëjta si në vitin 2016, një ose dy komuna më pak”, shpjegoi Izetbegoviq.
Ai beson se tendenca është e dukshme që disa nga qytetet e mëdha në të dy entitetet zgjodhën ndryshime – Sarajeva, Banja Lluka dhe Bijelina, transmeton Anadolia.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, dje qendrat e votimit u hapën në orën 07:00, ku votuesit mund të votonin deri në orën 19:00 në zgjedhjet e shtata lokale nga Marrëveshja e Dejtonit.
Sipas të dhënave të para nga zgjedhjet lokale në Bosnjë dhe Hercegovinë, pjesëmarrja në zgjedhjet lokale ka qenë 47 për qind.
Gjithsej 3.283.380 votues janë regjistruar në Listën qendrore zgjedhore, të cilët mund të ushtronin të drejtën e tyre në qendrat e votimit.
