Në seancën e parë të mbajtur sot në Komunën e Kumanovës me shumicë të votave pro, Ivana Gjeorgjievska nga iniciativa qytetare “Për Kumanovën tonë” është zgjedhur kryetare e Këshillit të Kumanovës, shkruan TV21.
Komisioni për Çështje Mandatare me katër vota për dhe një kundër propozoi Gjorgjievskën për kryetare të re të Këshillit.
Gjorgjievska mori mbështetjen e VMRO- DPMNE-së, mirëpo Koalicioni i LSDM-së ishte kundër propozimit që Ivana Gjorgjievska të jetë kryetare e re e Këshillit. Siç theksoi Atina Murgashanska nga kjo parti, besojnë se fituesit me numrin më të madh të votave për pozitat e këshilltarëve, duhet ta udhëheqin Këshillin.
Sipas Murgashanskës me këtë përkrahje nga VMRO-DPMNE nuk janë ndjekur përcaktimet ideologjike dhe kërkesat për jetë më të mirë të qytetarëve, por interesi personal.
Megjithatë, shumica në Këshillin e udhëhequr nga iniciativa qytetare “Për Kumanovën tonë”, VMRO-DPMNE, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa vendosën që Ivana Gjogrievska të udhëheqë këshillin e kësaj komune./TV21
