Italia dënon me 12 vjet burgim një zyrtar për shkak të shembjes së urës që shkaktoi 43 të vdekur

TË FUNDIT

Ish-drejtuesi i kompanisë që menaxhon autostradat në Itali është dënuar me 12 vjet burgim për shembjen e urës Morandi në Xhenova, në gusht të vitit 2018.

Prokurorët kishin kërkuar një dënim shumë më të gjatë me burgim për ish-kreun e kompanisë “Autostrade per l’Italia”, Giovanni Castellucci.

Dyzet e tre persona kanë humbur jetën kur ura e autostradës, që kalonte përmes qytetit, është shembur gjatë një stuhie shiu në kulmin e sezonit të pushimeve, duke bërë që veturat dhe kamionët të binin në tokë.

Castellucci, i cili tashmë po vuan një dënim prej gjashtë vitesh burgim për një aksident të rëndë rrugor të vitit 2013, ishte një nga 57 të pandehurit në gjyqin e zhvilluar në Xhenova. 

Një tjetër zyrtar i lartë i kompanisë së autostradave, Michele Donferri Mitelli, është dënuar me 11 vjet burgim.

Emmanuel Diaz, vëllai i të cilit, Henry, ka humbur jetën gjatë shembjes së urës, i ka thënë televizionit italian se ishte “shumë i kënaqur” me vendimin, ndërsa Egle Possetti, së cilës i ka vdekur motra dhe e gjithë familja e saj, është shprehur se dënimi me 12 vjet burgim për Castellucci-n ishte “i pranueshëm”.