ISHP dënon Grubin me 500 euro! E Spasovski dënon zëvendësin e tij Bushin

TË FUNDIT

500 euro shtesë do t’i kushtojë BDI-së festa e ditelindjes së liderit të tyre, Ali Ahmeti. Zv/kryeministri i parë Artan Grubi pasi u dënua nga MPB me 20 euro për mombajtje maske, tani është dënuar edhe nga Inspektorati Shtetëror i Punës me 500 euro.

Kjo pasi Inspektorati i punës përfundoi mbikëqyrjen në Ministrinë e Sistemit Politik dhe vërtetoti se Grubi ka shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Popullsisë nga Sëmundjet Infektive, sepse si person përgjegjës ai ka lejuar festimin pa maska. Minsitri Grubi dënimin duhet ta paguajë në afat prej 8 ditësh.

Ndërkaq MPB ka dënuar të 15 funksionerët e BDI-së për mosmbajtje të maskës, që ishin prezent në festën e Ahmetit për shkelje të protokollit. E në atë tavolinë ishte edhe Nazim Bushi që bart funksionin e zv/ministrit në MPB, për të cilin Spasovski tha se e ka dënuar dhe se prandaj tani Bushi ka vendosur maskën.

 “Jo, unë do të përgjigjem sepse ai është i dënuar, nuk mundet të përgjigjet. Meqë është i dënuar tani po bart maskë. Po të mos ishte i dënuar ndoshta tani nuk do ta kishte maskën. Të gjithë që kanë qenë të ulur në atë tavolinë janë të sanksionuar, pa marrë parasysh a janë kryetarë partie, deputetë ose ministra. Paditë penale do të dorëzohen në Prokurorinë publike dhe prokuroria do të vendosë nëse ka këtu vepër penale ose jo”, tha Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme.

E ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se meqë funksionarët e BDI-së janë deklaruar publikisht se do të paguajnë dënimin, është shenjë që ligji vlen për të gjithë.

 “Masat vlejnë për të gjithë. Kolegët dolën hapur dhe thanë se do të paguajnë dënimet që janë paraparë për ato masa dhe protokolle dhe mendoj se është një shenjë e shkëlqyeshme se praktikisht ligjet vlejnë për të gjithë”, theksoi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

Rasti ndodhi gjatë përurimit të hapësirave të reja të Ministrisë për Sistem Politik më 4 janar përmes një mbledhimi të integristëve, të cilët pa maska dhe pa distancë festuan edhe ditëlindjen e liderit të partisë Ali Ahmeti.