Mediat shtetërore dhe ato të lidhura me shtetin në Iran raportojnë se centrali bërthamor i Bushehrit është vënë në shënjestër këtë pasdite.
Sipas një deklarate që i atribuohet zëvendësguvernatorit të provincës dhe që është publikuar nga mediat shtetërore iraniane, perimetri i centralit është goditur nga predha të lëshuara nga Shtetet e Bashkuara, raporton BBC.
Deri më tani, SHBA-ja nuk ka komentuar lidhur me këto sulme të fundit.
Aktualisht, sulmi pranë centralit bërthamor të Bushehrit është një nga pretendimet më serioze.
Nëse konfirmohet, një sulm pranë një objekti bërthamor do të përbënte një zhvillim me pasoja të rëndësishme për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
E një sulm i mundshëm në një termocentral bërthamor mund të çojë në një rrjedhje rrezatimi në mjedis. Një rrjedhje e tillë në Gjirin Persik do të ishte një krizë ekzistenciale për shtetet arabe të Gjirit.
Termocentrali bërthamor i Bushehrit u ndërtua me ndihmën e Rusisë.
Ndërkohë sulmet i ka vazhduar edhe Irani. Forcat e armatosura të Jordanisë njoftuan përmes agjencisë shtetërore të lajmeve Petra se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar tetë raketa të lëshuara nga Irani këtë pasdite.
Sipas raportit, disa copëza të raketave kanë rënë në tokë, por nuk është raportuar për viktima apo dëme materiale.
SHBA-ja, e cila ka një bazë ushtarake në Jordani, ende nuk ka komentuar.
Por, ambasada e SHBA-së në Jordani u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të kërkojnë strehim, pasi “raportimet tregojnë se raketa, dronë ose predha ndodhen në hapësirën ajrore të Jordanisë”.
Ambasada tha se do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe do të japë informacione të tjera sapo të ketë zhvillime të reja.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën raundin tjetër të sulmeve ajrore kundër Iranit të mërkurën, disa orë pasi presidenti Donald Trump tha se armëpushimi midis dy vendeve mund të ketë “përfunduar”.
Këto sulme bëhen një ditë pasi ushtria amerikane goditi disa zona ushtarake, pasi Irani shënjestroi anije tregtare në brigjet e Omanit.
