Një kompani tjetër për prodhimin e kabllove instaluese të automjeteve po vjen në Maqedoni. Investitori turk “Cavo Otomotiv” nga fundi shtatorit pritet të nis prodhimin në fabrikën që pritet të ndërtohet në Zonën industriale të Tetovës. Ministri i Ekonomisë Durmishi tha se kompania e pjesëve automobilistike, me investimin prej 20 milionë eurove, do të hap rreth 500 vende të reja të punës për rajonin e Pollogut.
“Ky model tregon që bashkëpunimi ndërmjet shtetit dhe sektorit privat mund të krijojë kushte për realizimin e investimeve të mëdha që ndikojnë direkt në zhvillimin ekonomik lokal dhe nacional. Kompania ‘Cavo Otomotiv’ është e njohur ndërkombëtarisht me përvojë shumë vjeçare në industrinë e automobilave dhe kapaciteteve prodhuese në disa vende të rajonit. Vendimi saj për të transformuar një pjesë të prodhimit nga Turqia dhe Sllovakia në vendin tonë është sinjal besimi në ekonominë tonë”, tha Durmishi.
Për dallim nga ministri që tha 500 vende të reja, drejtori i Zonave Zhvillimore Teknologjike-Industriale Goce Dimovski, tha se do të ketë 400 punësime të reja. Ndërsa eksporti i prodhimtarisë do të kalojë dyfishin e investimit fillestarë. Ai tha se bëhet fjalë për sektorin e prodhimit të kabllove të automjeteve.
“Bëhet fjalë për prodhim të teknologjisë së lartë të kabllove automobilistike, të bazuara procese dhe teknologji të automatizuara moderne, të cilat ngritin edhe nivelin prodhues në shtetin tonë ashtu edhe zhvillimin e kuadrit të kualifikuar për njohuri të reja. ‘Cavo Otomotiv’ planifikon cikël serioz investimesh në Maqedoni, sipas biznis planit shuma e investimit do të arrijë në 20 milionë euro me punësimin e më shumë se 400 personave. Plani i kompanisë e këtë projekt investues është që të krijoj eksport vjetor prej 45 milionë eurove në vit”, tha Goce Dimovski.
Autoritetet thanë se kjo kompani do të merr ndihmën e shtetit si investitor i huaj për lehtësirat fiskale, të kontributeve të punëtorëve për një periudhë të caktuar dhe shfrytëzimin e tokës në zonë industriale.
Kujtojmë, që disa vite më parë një kompani e huaj automobilistike “E-GO” dështoi në investimin për prodhimin e veturave elektrike, pikërisht në Zonën Industriale të Tetovës, por autoritetet thonë se ajo është e kaluar dhe se ky investimi i ri veç se është i garantuar me firmosjen e marrëveshjes dypalëshe.
