Interpelancë për Xhaferin se ka folur shqip! “Po të fliste Xhaferi anglisht ose frëngjisht, a do kishte reagim?

TË FUNDIT

VMRO-DPMNE ka përgatitur rezolutë me të cilën dëshiron ta mbron gjuhën maqedonase në negociatat me Bullgarinë, ndërsa nga ana tjetër dorëzon interpelancë për kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi, për shkak se ky i fundit ka folur shqip në Parlamentin Evropian. Analisti dhe gazetari Arben Ratkoceri thotë se kjo është absurde dhe hipokrizi nga ana e partisë së Mickoskit.

“Është një absurd i llojit vet sepse nuk e di a do të kishte interpelancë nëse z.Xhaferi do të fliste anglisht ose frëngjisht në PE. Mirëpo hipokrizia është edhe më e madhe pasi  në të njëjtën kohë VMRO ka paraqitur rezolutë pikërisht për të mbrojtur gjuhën maqedonase krahas tjerave siç janë identitetin, kulturën etj. rreth negociatave me Bulgarinë. //Më këtë rezolutën e dytë për gjuhën maqedonase do kërkohet edhe përkrahja e shqiptarëve dhe me çfarë fytyre  do kërkoje përkrahje kur në të njëjtën kohë sulmon një funksionar shqiptar, pse e paska përdorë gjuhën shqipe në një institucion evropian”, deklaroi për TV21, Arben Ratkoceri.

Edhe analisti politik Petar Arsovski është i të njëjtit mendim. Sipas tij cila do gjuhë që ndihmon për tu kuptuar më mirë le të përdoret dhe kjo nuk do të ishte gabim.

“Është e saktë  se me kushtetutë gjuha maqedonase është gjuha e vetme zyrtare për përdorim jashtë vendit. Por unë mendoj se kjo nuk është diçka tragjike, në fakt kam kundër-pyetje: A do të ankohej VMRO-DPMNE nëse Xhaferi do të fliste në anglisht. Kështu që cila do gjuhë që ndihmon për kuptim më të mirë, nuk duhet të merret si gabim serioz. Mendoj se ky është një qëllim e VMRO-së për pikë politike si dhe rezoluta për mbrojtjen e gjuhës maqedonase dhe mendoj se më së shumti është orientuar drejt elektoratit në vend”, potencoi Petar Arsovski – analist politik. 

Ratkoceri thotë se VMRO DPMNE ende po vazhdon të kalkulojë me një pjesë të trupit elektoral që në një far forme kanë një lloji albanofobie, por sipas tij ata këtë po e bëjnë për pikë politike në prag të zgjedhjeve lokale. 

“Kjo thjesht se po afrohen zgjedhjet lokale dhe tani në një far forme bën një far kombinimi mes nacionalizimit dhe në elemente tjera kinse po hapet ndaj elektoratit, pak për ta zgjeruar trupin votues, mirëpo shqetësuese është edhe një element tjetër. Unë nuk e di se si do kërkon  koalicion me ndonjë nga partitë opozitare shqiptare, në minimumin raundin e dytë dhe mendoj në këtë lojë që është një far lloj i hipokrizisë së vet, në pozitën më të vështirë  do të jetë opozita shqiptare”, shtoi gazetari Arben Ratkoceri.                         

Ndryshe përveç BDI-së as ASH-Alternativa nuk do ta mbështesin interpelancën e VMRO-DPMNË-së, për të cilën thonë se është e pa bazë.