Interkonektori Maqedoni-Shqipëri, BDI kërkon hetim! MEPSO: Procedurat janë të rregullta dhe projekti po zbatohet sipas BERZH-it

TË FUNDIT

Opozitarja Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar hetim ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të MEPSO-s Burim Latifi, pas, siç thonë, vendimit ndërkombëtar që dënon shtetin të paguajë 6 milionë euro dëmshpërblim. Sipas BDI-së, Latifi e ka anuluar kontratën ekzistuese me kompaninë Energoinvest nga Sarajeva dhe e ka zëvendësuar me ELNOS BL DOOЕL nga Banja Luka, kompani e cila, sipas partisë opozitare, është e lidhur ngushtë me rrjetin e interesave të Milorad Dodikut.

“BDI konstaton se Burim Latifi ka marrë vendime që kanë dëmtuar drejtpërdrejt interesin publik dhe kanë futur një kompani të lidhur me Dodikun në infrastrukturën kritike energjetike të një shteti anëtar të NATO-s. BDI i kërkon Prokurorisë fillimin e menjëhershëm të hetimeve penale ndaj Burim Latifi për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtim të buxhetit shtetëror, kërkon auditim të plotë të të gjitha kontratave të nënshkruara gjatë mandatit të tij dhe pezullimin e menjëhershëm të marrëveshjes me ELNOS BL deri në sqarimin e plotë të rrethanave”, thonë nga BDI.

U kundërpërgjigjën nga VLEN duke e akuzuar BDI-në se për vite me radhë ka orientuar projektet energjetike drejt Serbisë, duke lënë pas dore lidhjet strategjike me Shqipërinë dhe Kosovën, dhe pretendon se projekti për Shqipërinë ka qenë pothuajse i bllokuar me vetëm 4% realizim. Sipas tyre, kontrata ka pasur probleme serioze si kërkesa shtesë financiare, braktisje të kantierit dhe humbje për shtetin, ndërsa ndërprerja e saj është bërë mbi bazë institucionale dhe analize profesionale. VLEN shton se BDI duhet të japë përgjegjësi për keqmenaxhimin dhe dyshimet për keqpërdorime, duke theksuar se çështja mund të trajtohet edhe nga Prokuroria Publike.


“Përpjekjet e BDI-së për ta paraqitur procedurën para DAB si vendim ekzekutiv janë manipulim i qëllimshëm. Bëhet fjalë për një mekanizëm para-arbitrazhi, i cili nuk përbën vendim përfundimtar dhe në të cilin shteti ka të drejtë të plotë të përdorë të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e interesave të veta. Ta paraqesësh këtë si “dëm përfundimtar” është krijim i qëllimshëm i panikut dhe shmangie nga thelbi. Të theksojmë: arbitrazhi është instanca ku zgjidhen këto mosmarrëveshje dhe aty çështja do të zgjidhet në favor të shtetit dhe buxhetit të qytetarëve”, potencojnë nga VLEN.


Për këtë reagim pati edhe nga SHA MEPSO të cilët thonë se përzgjedhja e kontraktorit është bërë sipas procedurave të rrepta të BERZH-it, duke siguruar transparencë dhe ligjshmëri, dhe projekti i është besuar një kompanie kroate të dëshmuar në Evropë si Dalekovod d.d., e cila konsiderohet garanci për realizim të suksesshëm.


“Bëhet fjalë për një kompani e cila:
-është themeluar në vitin 1949 dhe ka përvojë shumëvjeçare në ndërtimin e linjave të tensionit të lartë;
-është e listuar në bursën e Zagrebit dhe funksionon sipas standardeve më të larta të qeverisjes korporative;
-është pjesë e grupacionit KONČAR Group, që siguron stabilitet shtesë financiar dhe teknologjik;
-realizon qarkullim vjetor prej qindra milionë eurosh dhe shënon rritje të vazhdueshme”, theksojnë nga MEPSO.

Më tej në reagimin e MEPSO-s theksohet se kompania e përzgjedhur ka realizuar projekte në më shumë se 80 shtete dhe se „Dalekovod” bashkëpunon me operatorët kryesorë evropianë dhe botërorë të sistemeve të transmetimit dhe ka një rrjet të zhvilluar nënkontraktorësh dhe partnerësh nga disa shtete.