Derisa po rrjedhin afatet ligjore për zgjidhjen institucionale të problemit në Shkollën e Vaksincës, rreth 100 nxënës vazhdojnë të mbeten pa mësim në javën e dytë të bojkotit. Pas polemikave për gjendjen shëndetësore të arsimtares së anglishtes S.S. prindërit këmbëngulin se nuk do t’i kthejnë fëmijët në shkollë, por as drejtori i shkollës nuk e suspendon atë për t’i hapur rrugë mësimit deri në një epilog final.
“Derisa Inspektorati i arsimit nuk e thotë atë që duhet ta thotë dhe derisa ata nuk japin dokument që profesoresha duhet të largohet ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi. Ne përgjegjësi për të gjithë profesorët nuk marrim, ne i vizitojmë dhe i përcjellim. Përpos drejtorit shkollën e vizitojnë edhe inspektorët e arsimit edhe këshilltarët, deri tani nuk ka pasur asnjë vërejtje. Deri sa nuk ka vërejtje ne nuk mund të largojmë nga puna sa herë e kujtdo i teket”, u shpreh Idriz Sulejmani, drejtor i Sh.F. “Rilindja” Vakisncë-Llojan.
Ai së bashku me Këshillin e prindërve të kësaj shkolle sot iu drejtuan dyerve të Inspektoratit të arsimit në Shkup. Siç edhe paralajmëruan, kanë dorëzuar dosjen mjekësore të arsimtares, e peticionin e prindërve.
MINISTRIA E ARSIMIT DHE SHKENCËS:
“Inspektorati i arsimit sot mori dokumentacionin në fjalë dhe me të shqyrtuar lëndën menjëherë do të organizojë inspektim në vend të ngjarjes. Sipas procedurës një komision i posaçëm do të udhëheqë me procedurat për verifikimin e dokumenteve, kontrollimin sistematik shëndetësor dhe në bazë të rezultateve do të ndërmerren hapat konkret lidhur me këtë çështje.”
Por numërimi i ditëve është i gjatë për fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën, të cilët pa fajin e tyre mbeten jashtë procesit edukativo arsimor. Prindërit vlerësojnë se siguria e fëmijëve është primare.
“Ne si prind kemi marrë iniciativë që të shkojmë më tutje, nëse nuk ka zgjidhje sërish do të bojkotojmë. Po, është e drejtë e jona dhe na jemi të obliguar për t’i mbrojtur fëmijët tanë. Qëllimi kryesorë është siguria që nuk e kemi! Çfarë nëse ajo fillon sërish dhe fëmijët nuk ndihen të sigurt?”, tha Arsim Misini, orind nga vaksica.
“Përmes institucioneve kemi kërkuar edhe largimin por edhe në anën tjetër në mënyrë institucionale të zgjidhet problemi. Ndoshta me një test të mirëfilltë psikologjik, i organizuar nga vetë Ministria e arsimit dhe jo nga institucione tjera jo relevante ose ordinanca private”, deklaroi Fitim Miftari, prind nga Vaksica .
TV21 posedon të gjithë dosjen dhe është në ndjekje të ngjarjes hap pas hapi deri në kthimin e nxënësve në bankat shkollore. Përndryshe, në filloren e disperzuar periferike të Vaksincës muajt e fundit ka pasur pakënaqësi për anomalitë e mësimit në gjuhën angleze duke kërkuar shkarkimin e arsimtares S.S. Prindërit i referohen edhe një raporti policor për arratisjen e saj, që ka pasuar edhe një pushim mjekësor me raport neurologjik që ka çuar në rehabilitimin e saj. Kthimi në gjysmë vjetor nuk u mirëprit nga prindërit, të cilët filluan bojkotin e mësimit të nxënësve tani e 10 ditë.
