Inflacioni në vend mbetet nën kontroll dhe se aktualisht nuk ka nevojë për masa të reja për ndërhyrje në treg, thotë ministri i ekonomisë Besar Durmishi, duke shtuar se institucionet po e monitorojnë vazhdimisht situatën në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut. Ai paralajmëroi që nëse evidentohen sjellje devijante apo rritje të pajustifikuara të çmimeve, institucionet do të ndërhyjnë me masat përkatëse.
“Në të njëjtën kohë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut janë bërë kontrolle edhe për muajin mars deri në qershor për këto 3 muajt e fundit dhe aty është konstatuar se këta çmime të produkteve me pakicë janë rritur për 0.16% që rezulton me efekt pozitiv si rezultat i asaj që kemi pasur takime me të gjithë shitësit që kanë zinxhir të marketeve dhe i kemi informuar se jemi duke i ndjekur dhe janë duke e rritur marzhën e fitimit dhe kjo ka reflektuar në 3 muajt e fundit dhe kemi vetëm 0.16%”, tha Durmishi.
Durmishi theksoi se të hënën do të kenë takim me prodhuesit dhe shpërndarësit e produkteve ushqimore dhe atyre jo-ushqimore.
“E kemi kontrolluar të gjithë zinxhirin me radhë, linjën nga prodhuesi dhe shpërndarësi dhe deri te shitësit me pakicë. Kontrolle është bërë nga muaji maj në 2025 deri në maj 2026 dhe çmimet hyrëse d.m.th që i kanë marrë janë rritur për 2.66% ndërsa çmimet shitëse janë rritur për 4.56% dhe përfundimi kontrolle ka konstatuar se ata tregtarë që kanë bërë shitje me pakicë në kohën kur janë ulur çmimet hyrëse nuk janë ulur edhe çmimet shitëse, dhe bëhet fjalë për një rritje 4.56%”, deklaroi Durmishi.
Këto Ministri Durmishi i tha pas Këshillit Ekonomik Social që u mbajt sot në Qeveri, e ku siç tregoi, u diskutua për politikat e punësimit, pagat, tregun e punës dhe nevojën për harmonizimin e arsimit me kërkesat e ekonomisë për rritjen e punësimit dhe konkurrueshmërisë.
