Ku gabon Qeveria jonë duke pasur parasysh se kemi inflacion më të lartë dhe çmime më të larta jo vetëm në rajon, por edhe në Europë? Profesori Branimir Jovanoviq për TV21 thotë se duhet të marrim shembull nga Shqipëria ku inflacioni është 8%, kurse çmimet e disa produkteve nga fillimi i këtij viti filluan të ulen.
“Maqedonia gaboi, tepër gaboi kur bëhet fjalë për inflacionin. Faji është vetëm i Qeverisë sepse për 6-7 muaj po sheh se inflacioni po rritet dhe ndërmerr masa që nuk kanë asnjë efekt. Masa për ngrirjen e marzhit të produkteve është absolutisht joefektive. Së pari, nuk mund të zbatohet në realitet dhe së dyti, as nuk e zbatojnë. Ja, pyetni ndonjë ministër në Qeveri sa kontrolle kanë bërë dhe sa kompani janë gjobitur? Së dyti: masa për uljen e çmimit të rrymës do të ketë vetëm efekt të vogël dhe fare nuk do ta parandalojë rritjen e mëtutjeshme të çmimeve në periudhën në vijim”, tha Branimir Jovanoviq, profesor, ekonomist.
Jovanoviq vlerëson se Qeveria me qëllim lejon që inflacioni të rritet për ta mbushur buxhetin, sepse normat e interesit për huamarrje janë jashtëzakonisht të larta.
“Së pari mendova se nuk dinë se çfarë duhet bërë, pastaj mendova se thjeshtë fare nuk interesohen se çfarë po ndodh, jetojnë në botën e tyre dhe nuk interesohen për njerëzit e rëndomtë. Tani mendoj se bëjnë qëllimisht që inflacioni të rritet për shkak se i njëjti njihet si tatim të fshehur. Tatim që e paguajnë më të varfrit duke e mbushur buxhetin shtetëror. E dëgjova ministrin e financave para disa ditësh se si u lavdërua se të ardhurat buxhetore janë rritur për 14% dhe se parasheh rritje për 14-15% për vitin e ardhshëm”, pohoi Branimir Jovanoviq, profesor, ekonomist.
Projeksionet aktuale për inflacionin global nga të gjitha institucionet ndërkombëtare tregojnë se inflacioni do të jetë më i butë në 2023, ndërsa në afat të mesëm pritet stabilizim i inflacionit dhe kthimi i tij në shkallë të ulët, thonë nga Banka Popullore.
“Banka Popullore filloi që ta normalizojë politikën monetare që nga fundi i vitit të kaluar përmes operacioneve në tregun e devizave, pastaj prej prillit e më tutje, përmes rritjes së normës së interesit e cila disa herë u rrit për gjithsej 2,25 deri në 3,5%. Po ashtu u ndërmorën edhe masa të tjera përmes ndërhyrjes në rezervat e obligueshme, ndërsa në drejtim të nxitjes së përdorimit të denarit dhe depozitat me denarë dhe përmes nxitjes së investimeve në burime të ripërtëritshme të energjisë dhe qëndrueshmërisë energjetike. Gjithashtu, u soll vendim për bashkim të ri kundërciklik të kapitalit në bankat”, thonë nga Banka Popullore.
Tepër optimiste janë parashikimet e Bankës botërore dhe Bankës popullore, por në aspekt ekonomik nuk janë të qëndrueshme, mendon profesori Jovanoviq duke i vlerësuar deklarata më shumë si politike, sepse inflacionit i duhet kohë, nuk mund të ulet nga 20% në 6%.
