Edhe në Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë, infermierët shprehën pakënaqësi për statusin e tyre, kushtet e punës dhe sidomos rritjen e pagave, e cila u vendos dje. Gordana Beshliovska, kryetare Lidhjes së Infermierëve shprehu pakënaqësinë për rritjen të cilën e quan minimale.
“Pakënaqësitë do t’i potencojmë dhe do ta ngremë zërin edhe në këtë akademi, i presim edhe përfaqësuesit e sindikatave të cilëve do t’i themi se nuk jemi të kënaqur nga rritjet e fundit dhe kjo vetëm shkurt, pra na ndan nga mesatarja minimale republikane”, pohoi Gordana Beshliovska, Lidhja e Infermiereve.
Edhe kryetari i shoqatës së infermiereve nga Gostivari, Xhelal Salija rritjen e quajti minimale, ndërsa thotë se do të vazhdojnë me kërkesat siç janë edhe rritja e koeficientit.
“Është një rritje minimale ngase bëhet rritja lineare, vlen të theksohet se gati nuk është rritur asgjë. Ne nuk do të ndalemi këtu, së bashku me unionin do të bëjmë marrëveshje dhe me sindikatat që ne pikësëpari të arrijmë ligjin në odën e motrave dhe të koeficienteve, pasi që tani për tani jemi shumë ulët”, tha Xhelat Salija – kryetar i infermiereve, Gostivar.
E pyetur për të komentuar rritjen e pagave në shëndetësi, në krahasim me atë të zyrtarëve, Beshliovska u përgjigj se nuk është e dinjitetshme të flitet për këtë.
“Marrë parasysh se askund në rajon nuk keni përafrim të këtillë të të ardhurave personale të infermiereve me minimumin republikan, mendoj se kjo është shumë e pa dinjitetshem ta diskutojmë”, pohoi Gordana Beshliovska, Lidhja e Infermiereve.
Dje gjatë komunikimit të lajmit për rritjen e pagave të punonjësve shëndetësor, njëjtë edhe Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti u pyet si e sheh krahasimin mes kësaj rritje dhe rritjes së pagave të zyrtarëve. Ai tha se nuk është i mirë në matematikë.
“Me të vërtetë nuk i di numrat, matematika nuk më shkon mirë unë me shëndetësi, 78% ashtu mora vesh se është rritja. Njëherë është dashur të rriten pagat e punonjësve shëndetësor pastaj të zyrtarëve, unë jam punëtor shëndetësor dhe gjithnjë do të jem në anën e tyre”, deklaroi Fatmir Mexhiti, ministë i Shëndetësisë.
Ndryshe rritja prej 3.000 denarë, 2.500 dhe 2.000 denarë vlen për të gjithë të punësuarit në institucionet publike shëndetësore. Infermierët me arsim të mesëm do të kenë rritje pagash me rreth 9.6%, për infermierët me arsim të lartë profesional, për mjekët e përgjithshëm dhe për punonjësit e shëndetësisë do të jetë 5.8 % rritje pagash dhe rritjen më të vogël prej 2.7 % do ta kenë mjekët specialistë.
