Incidenti te sheshi Skënderbeu/ Spasovski: Pasojat mund të ishin edhe më të mëdha

TË FUNDIT

Protestat kundër propozimit francez po vazhdojnë pothuajse çdo ditë, e ato kryesisht janë të dhunshme. 

Relacioni i protestuesve tashmë dihet Qeveri-MPJ-Kuvend.

Por protestuesit dy ditët e fundit, ndonëse aty nuk ka asnjë institucion shtetëror, ndalen te “Sheshi Skënderbeu” duke hedhur gurë e gjësende të forta e duke thyer xhamat e dyqaneve dhe makinave. Madje nuk munguan as fyerjet dhe sharjet ndaj shqiptarëve. 

Dje një grup të rinjsh nga Çarshia e Shkupit filluan të kundërpërgjigjen me gurë, ndërsa pronari i hotelit që ndodhet aty pranë Isuf Koka nxori pistoletën dhe shtiu në ajër për t’i larguar protestuesit.

Pas vetëm disa minutave ai bashkë me disa djem të tjerë të rinj u arrestua nga policia.

Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski u shpreh i bindur se kishte një numër të mjaftueshëm të policëve, pranë sheshit të cilët kanë parandaluar incidentin që mund të kishte përmasa më të mëdha.

 “Do të shikoni se policia e ka parandaluar incidentin dhe atë një numër i madh policësh. Shikoni videot  të cilat ishin publikuar nga mediumet  dhe nga ne. Ja vetëm një fotografi do t’ua tregoj  ku policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes. Nuk duhet të vijë deri te kjo sigurisht. Që të mos vjen deri këtu çdo qytetar duhet ta dijë se protestat duhet të jenë paqësore”.- Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Spasovski gjithashtu u shpreh se pasojat kanë mundur të jenë fatale po të mos k ishte intervenuar policia në kohë.

 “Askujt nuk i është lejuar të nxjerrë armë dhe ta rrezikojë sigurinë e asnjë qytetari në vend dhe kërkoi që askush të mos e arsyetojë nxjerrjen e armëve  në publik. Absolutisht ka mundur të vjen në pasoja shumë më të mëdha. Prandaj apeloj edhe deri te qytetarët dhe te subjektet politike dhe të gjithë që marrin pjesë në protesta të jenë në protesta paqësore. Vandalizmi dhe dhuna  në asnjë rast nuk do të japin rezultate, e kjo është të intervenohet në opinion për çfarëdo teme apo procedure”.- pohoi Oliver Spasovski, Ministër I Brendshëm.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme Naqe Çulev,  nga radhët e VMRO-DPMNE-së kërkon dorëheqjen  e ministrit Spasovski sepse siç thotë nuk ka ndërmarrë masa në kohë për parandalim të situatës.

 “Thuajse gjithmonë, në planet e deritanishme operative, sektori i “Mavrovasja”, respektivisht Sheshi Skënderbeu është identifikuar si pikë kritike e sigurisë. Gjatë incidentit të djeshëm për arsye të që i di ministri, në këtë lokacion ku është e patjetërsueshme edhe sigurimi i lartë, u panë vetëm tre zjarrfikës”.- tha Naqe Çulev, VMRO-DPMNE

Nga protesta e djeshme tre punonjës të policisë janë lënduar, ndërkaq janë arrestuar 5 persona. Dy prej policëve u lënduan në Sheshin Skënderbeu.