Incidentet ndëretnike në rritje, sociologu Pajaziti fajet ia faturon politikës

TË FUNDIT

Tendenca e rritjes të numrit të veprave nga urrejtja e shënuar në vitin 2018, vazhdoi edhe në vitin 2019. Është rritur numri i incidenteve të kryera në bazë të përkatësisë etnike dhe arrin shifrën alarmante prej 85% nga të gjithë 159 incidentet e regjistruara gjatë 2019-ës. Pothuajse të gjithë këto incidente kanë ndodhur ndërmjet anëtarëve të bashkësisë etnike maqedonase dhe shqiptare, e shumica dërrmuese e viktimave dhe kryerësve të atyre incidenteve janë të mitur apo të rinj, thuhet në raportin vjetor të Komitetit të Helsinkit për krime nga urrejtja.

“Vitin e kaluar janë regjistruar 159 vepra të urrejtjes. Sipas llojit më së shumti incidente edhe atë 115 janë dhunë. Ndërkaq 84.9% e rasteve të veprave të urrejtjes janë të kryera mbi bazë të përkatësisë etnike, dhe 9.4% mbi bazë të përkatësisë politike.
Për 126 raste janë zbuluar keqbërësit, për 29 ka padi penale, ndërsa për 32 padi kundërvajtëse.
Ndërkaq kjo tabelë na tregon se nga të gjitha këto incidente nuk ka asnjë lloj reaksioni, gjegjësisht, asnjë dënim. Sipas qyteteve kryeqyteti numëron më së shumti incidente edhe atë 136, pastaj vjen Kumanova 7 dhe Tetova 6”, Almedina Ismajli, gazetare.

Nga Komiteti i Heksinkit shprehen të brengosur, që zakonisht siç thonë rastet e urrejtjes përfundojnë pa epilog, nga organet e rendit.

“Me rëndësi të veçantë është prevenimi. Është e domosdoshme t’i kushtohet vëmendje edukimit dhe prevenimit të këtij tipi të dhunës te të rinjtë. Siç mund ta shohim në shumicën e rasteve, dhunuesit dhe viktimat e këtij lloji të incidenteve, veprave penale janë pikërisht kjo kategori e qytetarëve, gjegjësisht personat e rinj që jetojnë në vendin tone”, tha Sibel Amet nga Komiteti Helsinkit.

Fajet për urrejtje dhe incidente ndëretnike sociologu Ali Pajaziti ia vë politikës.

“Çështja e konflikteve mes të rinjve në RMV paraqet refleksion të një shoqërie të kontaminuar politikisht, që do të thotë se kultuta politike e RMV-së bazohet tek një ushqim permanent që quhet nacionalizëm. Pra nacionalizmi është kultivuar si një botkuptim që vetëm ai mund t’i çojë punët përpara dhe mundet ta avancojë një komunitet dhe kështu është hapur një hendek mes të dyja bashkësive. Ky virus apo kjo dukuri, sikurse Covid që i ka valët e veta që 30 vite është duke na rrënuar ne, po qëndron mbi kokën tonë dhe nuk na lejon që të ecim përpara, për fat të keq”, deklaroi sociologu, Ali Pajaziti.

Gjeneralisht dënimet dhe reagimet i dorëzojnë organizatat qytetare të cilat punojnë me grupe të veçanta të margjinalizuara, të cilët ndoshta kanë qenë viktimë e dhunës ose gjuhës së urrejtjes thonë nga Komiteti i Helsinkit
E sipas sociologut Ali Pajaziti çelësin për marrëdhënie të mira ndëretnike e ka politika, pastaj elita intelektuale, akdademia, shkollat, institucionet e arsimit dhe mediat që duhet të kultivojnë një klimë më pozitive dhe relaksuese, thotë ai. Ndryshe në gjashtë muajt e para të këtij viti janë paraqitur 53 incidente të urrejtjes, ku përsëri dominojnë incidentet mbi bazë të përkatësisë etnike.