Inaugurohet digjitalizimi i rrjetit përçues! 22 zyrtarë vijnë në ngjarje, por kufizohen pyetjet e gazetarëve

TË FUNDIT

Kryeministri Dimitar Kovaçevski erdhi në MEPSO në inaugurimin e digjitalizimit të rrjetit përçues. Nga afër shikoi se si duket pajisja më e re e telekomunikimit. Më pas doli para objektit për t’iu drejtuar mediave. Përpara se të fillonte me fjalimin, dikush nga kabineti  i Kovaçevskit, pyeti gazetarët se sa pyetje kanë, e kur i tregoi kryeministrit se janë katër, Kovaçevski tha se janë shumë.

“Shumë janë 3-4 pyetje, dy pyetje vetëm”, tha Dimitar Kovaçevski – kryeministër.

Në këtë ngjarje përveç kryeministrit dhe drejtorit të MEPSO-S Orhan Murtezani kishin ardhur edhe 20 zyrtarë të tjerë. Mes tyre kryetari i Alternativës Afrim Gashi, Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali, Ministri i Shoqërisë Informatike Admirim Haliti, Zv/kryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski e të tjerë.

I pari fjalën e mori nikoqiri Orhan Murtezani.

“Mënjanuam simbolikën e prerjes së shiritave dhe e konsiderojmë të panevojshme sepse në kushte kur vende po përballet me një krizë të madhe energjetike, e cila në nivel global dhe kontinental shkakton probleme të mëdha dominuese në funksionimin e kompanive energjetike, MEPSO me forcat e veta me mbështetjen e BERZH dhe koordinim me Qeverinë e RMV-së arrin teknikisht të përmirësoj rrjetin e saj në mënyrë që të mundësoj transmetim të besueshëm të energjisë elektrike”, theksoi Orhan Murtezani – drejtor i Sh.A. MEPSO.

Pas Murtezanit gazetarëve iu drejtua përfaqësuesi i BERZH-it, Andi Aranitasi. Ndërsa më pas fjalën e mori kryeministri Kovaçevski. Pasi mbaroi fjalimin, ndonëse katër gazetarë u paraqitën për pyetje, ndër to edhe TV21, zëdhënësja përmendi vetëm dy media.

-Kryeministër ju faleminderit, kolegë gazetarë urdhëroni me pyetjet tuaja, do të ju lus që në interes të kohës të shkojmë vetëm me pyetjen që ishin paraparë, Alsat DHE Telma urdhëroni.

Edhe TV21 është paraqitur.  Të fillojmë ju lutem të jemi efikas, Telma urdhëro.

E pyetëm kryeministrin se a do ta ndihmojë Qeveria ngrohtoren Shkup-Veri, për të mos ngel qytetarët pa ngrohje qendrore.

“Ju thash që bëhet fjalë për marrëveshje dhe EMV nuk mund të ndihmojë këdo, sepse bëhet fjalë për ShA në pronësi të shtetit dhe mund të lidhin marrëveshje për bashkëpunim tekniko-afarist ku do të përcaktohen saktë detyrimet dhe obligimet e të dyja palëve, në këtë rast të EMV dhe ngrohtores Veri”, tha Dimitar Kovaçevski – kryeministër.

TV21 pyetjen ia drejtoi edhe drejtorit të EMV-së Vasko Kovaçevski, por i njëjti nuk deshi të përgjigjet

-U përgjigj tashmë.

Por më pas si duket e bindi kryeministri.

-Drejtori i EMV-së, kishte pyetje për të.

“Informatën që morëm nga KRrE është se Sh.A. Shkup-Veri nuk ka licencë për të realizuar këtë veprimtari në territorin që përfshin. Le t’i rregullojë Sh.A punët formale dhe ligjore, një herë me KRrE dhe çështjet tjera juridike dhe më pas të nënshkruaj marrëveshjen për bashkëpunim tekniko-afarist. Ne me mjetet e Qeverisë të parapara për energjinë termike, do të ndajmë një pjesë nga mjetet dhe do të prokurohet resurs natyror po energji termike”, pohoi Vasko Kovaçevski – drejtor i EMV.

Gazetarët reaguan për kufizimin e numrit të pyetjeve, e kryeministri tha se nuk ka pyetje që nuk i jam përgjigjur.

“Nuk ka pyetje të cilës nuk i jam përgjigjur”, pohoi Dimitar Kovaçevski – kryeministër.

Ndryshe me këtë projekt mundësohet përçim i shpejtë, stabil dhe i saktë i të dhënave, furnizim pa pengesa të energjisë elektrike dhe minimizim të rrezikut nga çfarë do ndërprerje gjatë përçimit në rast të avarive ose kushteve të këqija të motit thonë nga MEPSO. Projekt është në vlerë prej rreth pesë milionë euro, nga të cilat 2.9 milionë janë mjete nga BERZH-i, ndërsa pjesa tjetër nga SH.A. MEPSO.