Inatet politike anulojnë takimin Kasami-Shaqiri! Komuna e Tetovës dhe MASh akuzojnë njëra-tjetrën

TË FUNDIT

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, sot duhej të ishte në Tetovë për të promovuar mësimin dual, por  ngjarja nuk u zhvillua. Nga Kabineti i kryetarit të Tetovës thonë se Kasami dhe Shaqiri është dashur të takohen në orën 9, ndërsa në 10 të dalin para mediave, por në moment të fundit ky takim është anuluar nga ana e Shaqirit.

 “Mos respekti ndaj kryetarit te Komunës, do të thotë mos respekt ndaj gjithë Tetovës. Ministri Arsimit, si duket nën urdhrat e shefave të tij, nuk arrin të tejkalon veten e vet dhe të sillet si ministër i gjithë qytetarëve, por duke u bazuar në politikën e partisë që përfaqëson edhe një herë dëshmoi se ata injorojnë komunat qe nuk janë të udhëhequra nga BDI. Komuna e Tetovës ka zot shtëpie, prandaj nuk do lejojmë që dikush të nënçmojë autoritetin e qytetarëve të Tetovës”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Në një reagim të Ministrisë së Arsimit shkruhet ndryshe! Thonë se ishte vendim i Komunës që të anulohet eventi i dakorduar paraprakisht.

 “Nuk ka as edhe një arsye e cila mund ta fsheh ose arsyetojë prapavijën politike të këtij veprimi të kryetarit të komunës së Tetovës. Ky është një hap i gabuar, sepse në arsim nuk ka vend për politikë dhe tentative për të fituar poena politike.  Eventi i anuluar nga ana e komunës së Tetovës do të realizohet në një nga ditët në vijim dhe besojmë se kryetari i komunës do të jetë nikoqir i denjë i këtij takimi me përfaqësuesit e MASH, Ambasadës së Zvicrës dhe komunitetit lokal të biznesit”, thonë nga MASH.

Ngjarje të njëjtë për mësimin dual kishte edhe në Gostivar, por ministri nuk erdhi as këtu. Ishte zëvendësi i tij Lulzim Aliu, i cili tha se politika duhet t’i ketë larg duar nga arsimi.

 “Nëse aludoni se gjatë ditës së sotme të njëjtin promovim kishin edhe në qytetin e Tetovës për fat të keq politika e bën edhe pse ne atje promovojmë edhe Ministria e Arsimit edhe arsimi duhet të jetë apolitik dhe i a-partizuar, fatkeqësisht sot nuk patëm një mundësi për ta bërë promovimin në Tetovë dhe mendoj se çdo kush duhet të udhëhiqet nga interesi i nxënësve interesimi kompanive të vendit edhe interesi qytetarëve”, tha Lulzim Aliu, zv/minister.

Eventi i anuluar nga ana e komunës së Tetovës do të realizohet në një nga ditët në vijim dhe besojmë se kryetari i komunës do të jetë nikoqir i denjë i këtij takimi me përfaqësuesit e MASH, Ambasadës së Zvicrës dhe komunitetit lokal të biznesit thuhet n fund të kumtesës së lëshuar nga MASH.