Igor Stefanovski – Ixhe: Automobilizmi është sport i vështirë, nuk do t’ua imponojë fëmijëve

TË FUNDIT

Igor Stefanovski – Ixhe është shoferi më i suksesshëm profesionist nga Maqedonia e Veriut. Ai ka fituar tre tituj evropianë dhe ka shumë podiume në garat në mbarë Evropën.

Në një intervistë për TV21, ai flet për fillimet e tij në automobilizëm, ritualet dhe përgatitjet para garave, nëse fëmijët e tij do ta ndjekin këtë rrugë, momentin më të paharrueshëm të karrierës, si dhe në fund zbulon “recetën” e suksesit për arritjen e tre titujve evropianë.


Si vendosët të merreni me automobilizëm? A keni ushtruar ndonjë sport më parë? Si nisi karriera juaj?

“Për mua automobilizmi nuk ka qenë vetëm sport, por mënyrë jetese që nga fëmijëria. Dashurinë për shpejtësinë dhe makinat e kam pasur që i vogël. Para se të filloja profesionalisht me gara, kam qenë aktiv në sport dhe shumë i përkushtuar ndaj përgatitjes fizike, sepse ky sport kërkon kondicion dhe disiplinë të madhe.

Karrierën e kam nisur herët, fillimisht me gara lokale në Maqedoni, e më pas gradualisht jam ngjitur në skenën ndërkombëtare. Me shumë punë, sakrifica dhe besim në vetvete, kam arritur në majat e automobilizmit evropian. Sot pas meje qëndrojnë vite përvoje, shumë fitore dhe pjesëmarrje me automjete të nivelit të lartë, përfshirë edhe Ferrari 488 Challenge Evo.”


A keni ndonjë ritual para garave? Si duket një ditë gare për ju?

“Para çdo gare kam mënyrën time të përgatitjes. Preferoj qetësi dhe përqendrim maksimal. Zgjohem herët, kujdesem për ushqimin dhe përgatitjen fizike, ndërsa fokusi mendor është më i rëndësishmi.

Para nisjes e kaloj pistën në mendje, i analizoj kthesat dhe rreziqet e mundshme. Kur ulem në makinë, gjithçka tjetër zhduket dhe mbetemi vetëm unë, makina dhe pista.”


A kanë fëmijët tuaj ambicie për ta ndjekur këtë sport?

“Do të isha krenar nëse një ditë vendosin të ndjekin hapat e mi, por kurrë nuk do t’ua imponoja. Automobilizmi është sport i bukur, por edhe shumë i vështirë dhe i rrezikshëm. Për mua është më e rëndësishme që ata të ndjekin atë që duan vërtet.

Sigurisht që kanë interes dhe rriten pranë botës së garave, por koha do të tregojë nëse do të zgjedhin ta ndjekin edhe profesionalisht.”


Cila ka qenë gara më e vështirë në karrierën tuaj?

“Ka pasur shumë gara të vështira, por më sfidueset janë ato ku kushtet ndryshojnë vazhdimisht – shi, mjegull, asfalt i rrëshqitshëm, dhe ti duhet të vozitësh në limit.

Ka pasur edhe raste me probleme teknike pak para nisjes ose gjatë garës, por gjithsesi kam arritur t’i përfundoj me rezultat të mirë. Këto janë momente që nuk harrohen kurrë. Në automobilizëm çdo sekondë sjell diçka të papritur, dhe kjo e bën këtë sport unik.”


Ju jeni tre herë kampion evropian. Cili është sekreti i suksesit?

“Të bëhesh tre herë kampion evropian nuk është rastësi. Pas këtij suksesi qëndrojnë vite pune, disiplinë, sakrifica dhe një ekip i fortë.

Sekreti është të mos dorëzohesh kurrë, edhe kur është më e vështira. Duhet stabilitet mendor, besim në vetvete dhe dëshirë e vazhdueshme për të qenë më i mirë se dje. Talenti është i rëndësishëm, por pa punë dhe karakter nuk mund të arrihet maja.”