I riu i VMRO-DPMNE-së: Zaev jep miliona për prezervativë dhe lubrifikantë, ndërsa mbi 100 mijë qytetarë jetojnë me 50 denarë në ditë

TË FUNDIT

Në një paraqitje për mediat përballë godinës së kryeministrisë, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Unionit të Forcave Rinore të VMRO-DPMEN-së, Stefan Stefanovski, tha se mbi 100 mijë qytetarë të vendit ditën e kalojnë me 50 denarë, se nuk kanë para as për bukë, ndërsa Kryeministri Zoran Zaev jep miliona denarë për prokurime për prezervativë dhe lubrifikantë.

“Prokurim për 187 mijë prezervativë dhe 50 mijë lubrifikantë në llogari të shtetit në kohë të varfërisë së madhe dhe pandemisë të tmerrshme janë shpërdorime klasike dhe hedhje e parave tona” u shpreh ai, raporton tv21.tv   

Ai më tej u shpreh se Qeveria i bën këto harxhime, por nuk jep asnjë denar për kompjuterë dhe internet të shpejtë për fëmijët që e kanë patjetër mësimin ta ndjekin nga shtëpia, e një pjesë e tyre as nuk kanë kompjuterë. Por kjo nuk ka rëndësi për Qeverinë, u shpreh Stefanovski, sepse zgjedhjet tashmë kanë kaluar e bashkë me to edhe nevoja për të treguar kujdes për qytetarët.

“40 mijë bashkëqytetarë tanë kanë mbetur pa punë për shkak të pandemisë me virusin korona dhe paaftësia e qeverisë për t’i ruajtur vendet e tyre. Ata janë 40 mijë qytetarë, prindër tanë, vëllezër, motra, të njohurit tanë. Në 40 mijë familje luftohet se si të kalohet muaji, ndërsa disa fëmijë vuajnë për bukë, kurse Zoran Zaev në vend se t’u ndihmojë atyre, nuk e ka problem që të japë disa miliona për prezervativë dhe lubrifikantë”, u shpreh anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Unionit të Forcave Rinore të VMRO-DPMEN-së./TV21