I pa duke vdekur, por s’mund t’i ndihmonte! Ibini rrëfen tmerrin që përjetoi natën e 8 shtatorit

TË FUNDIT

Djali i familjes Emshiu nga fshati Siniçan i Tetovës, ka hapur të pame për babanë dhe vëllain që i humbi në tragjedinë e 8 shtatorit në Qendrën Kovid. Edhe pse në kohë pandemie, thotë se nuk mund t’i kthejë njerëzit që vijë për ta ngushëlluar.

Ibin Emshiu rrëfen për TV21 tragjedinë më të madhe të jetës së tij, kur para syve humbi babanë 56 vjeçar edhe vëllain 28 vjeç, i cili edhe ka qenë i pa lëvizshëm. Ka qenë aty por nuk ka mundur të ndihmojë e as të bëjë asgjë kur flakët përpinë spitalin modular.

“Tmerr, i shihja, i shikoja edhe zjarri i digjte, dola nga prapa pash babën edhe vëllain, uturinin! Vetëm ulërimat e babës, vetëm uturimën e vëllait e shikoja dhe nuk mundesha më ta përballoj. Nuk mundesha të reagoj se zjarri ishte tepër i lartë edhe asnjë njeri tjetër nuk mund të bënte asgjë, deri sa erdhën zjarrfikësit dhe kur e fikën ajo vetëm ishte bërë e gjitha hi”, shprehet Ibin Emshiu, dëshmitar.

Ibini tregon se është përkujdesur për familjarët që më 5 shtator ku është kthyer nga jashtë shtetit, e kjo për shkak se siç thotë, edhe çarçafët i ka blerë vetë, sepse ato nuk ndërroheshin edhe kur dikush vdiste.

“Unë ditën e diel kam ardhur nga Italia edhe janë vendosur aty deri kur ka ndodhur tragjedia, infermiere kishte gjithmonë një ose dy, dhe nuk kishin kujdes aspak. Tesha të bardha kërkova nuk kishte, i bleva të gjithë vetë maska doreza, gjërat higjienike, mbulesat, jastëkët, të gjitha, se nuk kishte asgjë aty, njerëzit vdisnin dhe i vendosnin pacientët pa i ndërruar, i kam pa me sytë e mi”, tregon më tej ai.

Ai tash ka ngelur vetëm në shtëpi. Nëna i ka vdekur para pak vitesh, nga siç thotë, një gabim mjekësor, gjersa pohon se edhe i vëllai, tashmë i ndjerë, kishte mbetur i palëvizshëm pas një gabimi mjekësor. Megjithatë jeta vazhdon! Ibini apelon që tragjedia në Qendrën Kovid të mos shihet në aspektin politik, por njerëzor dhe ketë përgjegjësi.

“Unë i lutem zotit që të dalë e vërteta, që të japin përgjegjësi si me ligj, ashtu edhe me shpirt para Zotit. Dikush që e sheh është dhimbje, por dikujt ja djeg shpirtin, dy kufoma me një familje dhe të mbetet vetëm një anëtar i familjes, kjo nuk është aspak e lehtë, se dikush e sheh anën politike se ka ndodh një tragjedi, edhe pse s’duhet të ndodhin, por ndodhin!”, thotë Ibin Emshiu.

Tragjedia e 8 shtatorit u mori jetën 14 personave. 12 prej viktimave ishin pacientë të infektuar me virusin korona, ndërsa 2 të tjerët familjarë që kujdeseshin për të afërmit e shtruar.