I numëron delet por nuk po i dalin në numër! Hajnat në mbrëmje ia kanë vjedhur bagëtinë, arrestohen dy të dyshuar

TË FUNDIT

Po i numëron bagëtitë, por po i dalin 48 dele më pak. Blegtorit Agim Ahmeti  nga fshati Gradec i Vrapçishtit, dikush ja ka vjedhur delet për disa ditë me radhë . Ai çdo ditë e ka vërejtur se po i mungojnë delet dhe vendosi që të bëjë roje natën. Sic shpjegon në mbrëmje i ka parë hajnat duke i futur delet në makinë.

 “Vijë unë këtu mungon një dele, një ditë mungon një qengj, mungojnë një ditë dy, një ditë tre. Numëro numëro, nga 95 copa nxjerr 50 në mbrëmje. Kur vijë në mëngjes dalin 47 , tre dele mungojnë për një natë. Dhe unë patjetër të rri edhe t’i ruaj. Dhe duke i ruajtur doli njëri që e njohë shumë mirë, tjetrin nuk e njohë. Hyjënë e dalin tek dera i marrin delet dhe për një metër më ikën, nuk i zura më ikën”, tha Agim Ahmeti – blegtor.

Agimi thotë se dëmi është shtatë deri në tetë mijë euro.

“Kur t’i llogarisësh ata nga 170 apo 180 euro dënimi është 7 mijë  tetë mijë euro dëmi. Unë kujdesem për ta se me këta ushqehen. Unë punë tjetër nuk bëj, këtë e kam profesion. Asnjë profesion tjetër nuk kam. Unë jam bujk nuk jam asnjë biznesmen dhe unë me këtë merrem. Me këtë është marr babai im, babai i  babës tim”, deklaroi Agim Ahmeti – blegtor .

Agimi pret që shteti të merr masa. Thotë se nuk mund njeriu të jetojë me vjedhje dhe duhet që rasti i tij të zbardhet.

“Duhet të merr shteti masa. Nëse nuk merr, atëherë duhet të gjithë të vjedhim , duhet shteti të merr masa që të ndalohet kjo edhe mos i ndodhë dikujt . Duhet me punë se pa punë nuk ka ‘Hajdut Aga’ nuk ka. Nuk ka jetuar askush me të vjedhur ”, theksoi Agim Ahmeti – blegtor .

Dy ditë pas denoncimit të rastit, policia ka arrestuar dy të dyshuar nga Dobërdolli i  Gostivarit. Televizioni 21 mëson se dy të dyshuarve tash më u është caktuar edhe masa e paraburgimit tetë ditor. Personat e dyshuar janë 18-vjeçarin J.M dhe 23-vjeçarin A.D., të dy nga fshati Dobërdoll.