I biri i Enver Maliqit për mirënjohjen post-mortem: Ka një vlerë të madhe për babin, sepse atij i ka rrjedhur gjak kosovari

TË FUNDIT

I biri i biznesmenit të ndjerë Enver Maliqi, Albani e ka çmuar lartë mirënjohjen post-mortem që Ambasada e Kosovës në Maqedoni të Veriut i a ka ndarë babait të tij të ndjerë në vigjilje të Pavarësisë së Kosovës.

Albani, duke folur për babain e tij, ka deklaruar se mirënjohja e sotme ka më shumë rëndësi se çdo mirënjohje që ka marrë Enver Maliqi derisa ka qenë gjallë, qoftë në sferën e biznesit apo edhe të humanizmit, pasi siç tha Albani, i ndjeri edhe pse ka jetuar në Shkup, gjaku i ka rrjedhur si kosovar.

“Pavarësisht se babi nuk është fizikisht me ne, unë e di një gjë, se nga të gjitha mirënjohjet që i ka marrë në jetë, qoftë për humanizëm apo biznes, unë jam i sigurt se kjo do të zinte vendin me prioritet para të gjithave. Sepse, ai vetë ka qenë 100% kosovar, babën nga Gjakova dhe nënën nga Gjilani. Ne jetojmë këtu, por zemrën gjithmonë e ka pasur në Kosovë. Gjaku i ka rrjedhur gjak kosovari. Ashtu që, kjo për babin kishte me qenë shumë më e vlerësueshme se të gjitha mirënjohjet që i ka marrë, si në biznes dhe në sferat tjera”, tha Alban Maliqi, transmeton TV21.

Mirënjohjen post-mortem Ambasada e Kosovës ia dorëzoi Albanit, për të shprehur mirënjohje për kontributin që Enver Maliqi e ka dhënë gjatë jetës si tij, si biznesmen dhe si humanist.