Në vigjilje të shënimit të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj ka ndarë mirënjohje post-mortem për biznesmenin e ndjerë, me preardhje nga Kosova por që ka jetuar dhe vepruar në Shkup, Enver Maliqi.
Dedaj, ka vlerësuar lartë punën e të ndjerit Maliqi, ka treguar vlerat e tij njerëzore dhe kontributin që e ka dhënë në shoqëri.
Ndërkaq, ka kujtuar takimin e tij të parë ditën kur e ka marrë postin si ambasador.
“Me të ardhur në Shkup, ditën e parë që e kam marrë postin, ka qenë i ndjeri Enver Maliqi dhe aty e kam krjuar përshtypjen shumë të mirë për Shkupin, për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, pa asnjë dallim etnik, fetar, gjinor dhe racor, sepse, edhe unë edhe Enveri kemi qenë të përgatitur t’i duam njerëzit, t’i respektojmë njerëzit. Enveri ka qenë një figurë, që vdekja e tij nuk e ka goditur vetëm familjen Maliqi, por e ka goditur dhe mërzitur të gjithë miqtë që e kanë njohur për së afërmi. Nëse nuk kanë pasur mundësi ta njohin për së afërmi, kanë dëgjuar për veprat e tij”, tha Dedaj.
Dedaj ka vlerësuar, se Enver Maliqi “nuk ishte vetëm një biznesmen, por një altruist, një humanist, një familjar i shkëlqyeshëm dhe një mik i veçantë”.
Ai ka njoftuar se Ambasada e Kosovës nuk ka organizuar asnjë manifestim për nderë të Pavarësisë, dhe se këtë datë të rëndësishme për shtetin e Kosovës, ka zgjedhur ta shënojë me këtë mirënjohje.
Ndërkaq, biznesmeni Enver Maliqi ndërroi jetë më 30 nëntor të 2020-s, pas vështirësive shëndetësore që ia shkaktoi virusi Covid-19./TV21
