Tejkalohen problemet me shpronësimin për ndërtimin e sistemit të ri për ujitje Raven-Reçicë për shkak të së cilës një periudhë të caktuar nuk ka punime ndërtimore. Këtë nga Zhelina e Tetovës e paralajmëroi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Arianit Hoxha.
“Atje ka ngecje për shkak të shpronësimit. Janë ndërmarrë masa konkrete, është njoftuar avokati i popullit të dalë në vendin e ngjarjes dhe besoj se pas kësaj ngecje që është momentalisht, intensivisht do të vazhdojë puna dhe në një afat sa më të shpejtë do të përfundojë faza e parë. Realisht më shumë se 70 për qind është vendosur kanali, por me probleme të caktuara teknike në të cilat punojmë që t’i heqim”, theksoi ministri Hoxha.
Në gusht të vitit 2018 ishte vendosur gur-themeli për ndërtimin e sistemit të ri për ujitje Reçicë-Raven, i cili përfshin një pjesë e luginës së Pollogut në veri të autostradës Shkup-Tetovë-Gostivar. Pas ndërtimit është paraparë ujitje të 3250 hektarëve potencialë të tokës bujqësore që shtrihet në zonën e Gostivarit, Vrapçishtit, Bogovinës dhe Tetovës.
Vlera e përgjithshme për ndërtimin e sistemit për ujitje është afër 15 milionë euro.
