Hoxha: Bashkëpunimi i Lëvizjes Besa me ASh-në është që të fitohen kandidatët e BDI-së

TË FUNDIT

Shefi i Shtabit Zgjedhor dhe sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha thotë se partia mbetet në qëndrimin se nevojitet bashkëpunim me Aleancën për Shqiptarët që të mundet në këto zgjedhje lokale  të fitohen kandidatët e BDI-së. Sipas tij, legjitimiteti për pushtet të ri vjen nga zgjedhjet parlamentare, por a do ta mbështesin si parti një shumicë të re parlamentare, tha, do të varet nga ajo si do të zhvillohen ngjarjet në skenën politike pas zgjedhjeve lokale.

“Ne mbesim fuqishëm  në përcaktimin tonë së bashku me Aleancën për Shqiptarët ta fitojmë BDI-në në komunat ku marrim pjesë në rrethin e dytë. Këto janë zgjedhje lokale, legjitimiteti për zgjedhjet parlamentare gjegjësisht për qeverinë  e re vjen nga zgjedhjet parlamentare. Mbetet të shihet pas zgjedhjeve si do të zhvillohen ngjarjet dhe si do të lëvizë  skena politike pastaj”, tha Hoxha në përgjigje të pyetjes së gazetarëve nëse edhe pse janë pjesë e pushtetit të tanishëm  mund të mbështesin shumicë të re parlamentare duke e marrë parasysh bashkëpunimin me opozitën në këto zgjedhje lokale.

Tani, shtoi Hoxha, flasim në mënyrë takstative për zgjedhjet lokale dhe mendoj se kjo duhet të jetë tema.

“Kjo që ndodh nuk është hera e parë. Në vitin 2017 ne ishim opozitë, ndërsa Aleanca për Shqiptarët ishte në pushtet dhe atëherë kishim bashkëpunim të ngjashëm. Kjo nuk është diçka që duhet të komentohet në drejtime të tilla, flasim për zgjedhje lokale në interes të pushtetit lokal. Në fund të fundit bëhet fjalë për interesat e qyteteve, ndërsa jo për partitë politike”, tha ai.

Ai nuk dëshironte ta komentojë deklaratën e përfaqësuesve të Alternativës, të cilët janë në koalicioni me Aleancën për Shqiptarët,  se nuk duhet t’i jepet mbështetje asnjë partie politike e cila është pjesë e pushtetit, duke shtuar se  nuk do të dëshironte ta prishë atmosferën e asaj që është arritur me Aleancën për Shqiptarët.