Autoritetet zvicerane kanë hapur hetim ndaj menaxherëve të lokalit ku një zjarr gjatë festës së Vitit të Ri la të paktën 40 persona të vdekur, bëri të ditur të shtunën Prokurori i Përgjithshëm rajonal. Dy menaxherët dyshohen për vrasje nga pakujdesia, lëndim trupor nga pakujdesia dhe shkaktim zjarri nga pakujdesia, njoftoi policia në një deklaratë. Sipas policisë, hetimi është hapur të premten mbrëma, pa dhënë detaje të tjera. Po ashtu, do të shqyrtohen edhe masat e tjera të sigurisë në objekt, përfshirë aparatet kundër zjarrit dhe rrugët e evakuimit. Prokurori kryesor i rajonit ka paralajmëruar ndjekje penale nëse konstatohet ndonjë përgjegjësi penale. Mbi 100 persona u plagosën nga zjarri që shpërtheu rreth orës 01:30 të mëngjesit të së enjtes në lokalin “Le Constellation”, në qendrën alpine turistike Crans-Montana. Sipas policisë, shumë nga të plagosurit janë të moshës nga adoleshenca deri në mesin e të njëzetave. Policia zvicerane njoftoi se trupat e 4 viktimave janë identifikuar dhe u janë dorëzuar familjeve të tyre, ndërsa procesi i identifikimit të të vdekurve vazhdoi edhe sot./TV21
