Të dielën paradite u promovuan si pajisje ushtarake të konvertuara në mekanizma zjarrfikëse, por, menjëherë në mesditë u doli sfida e parë në terren. Të dielën rreth orës 14:00 u raportua për një zjarr të madh në kodrinat e Bllacës. Ekipet e zjarrfikësve u ballafaquan gjithë natën, por ende edhe sot vazhdon djegia e maleve dhe bimësisë.
“Mesditën e së hënës temperaturat kanë arritur diku deri në 37 gradë Celsius dhe akoma ka vatra aktive të zjarrit në malet e Bllacës, megjithëse ekipet e zjarrfikësve dhe njësitet e ushtrisë, të cilët iu kanë bashkangjitur ekipeve në terren po përpiqen në shuarjen e zjarrit si nga toka ashtu nga ajri”, raporton Adnan Qaili, gazetar.
Drejtor i Qendrës për menaxhim me kriza, Muhamed Aliu tha se aktualisht ka 4 vatra aktive të zjarrit. Sipas tij, dje kanë qenë të lokalizuara 21 vatra të tjera zjarri, po në territorin e fshatit Bllacë.
“Prej mëngjesit janë tre helikopterë, dy të policisë dhe një të ushtrisë për shuarjen e zjarrit dhe besojmë që brenda ditës do të jetë zjarri në kontroll. Brigada e zjarrfikësve të Shkupit, dhe ekipet e drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim me automjetet që i promovoi kryeministri, këtu janë dy. Janë tre helikopterë, autoritete të komunës dhe të Kryqit të Kuq kanë ardhur në ndihmë, Shoqata Vullnetare ‘Bajram Shabani’ nga Çairi gjithashtu janë këtu për të na ndihmuar”, tha Muhamed Aliu, drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza.
Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtimthonë se bëhet fjalë për një terren të pjerrët malor në 1,000m lartësi ku edhe era shpejton zjarrin. Ata po përpiqen që ta lokalizojnë zjarrin mos të përhapet në vendbanime. Drejtori Stojançe Angelov tha se zjarri ka nisë nga rruga, dhe dyshon se shkaktar është faktori njeri.
“Në lidhje me shkaqet, në mëngjes unë publikova që shkak mund të jetë mbetja e cigares. Sepse dje isha në vendngjarje ja të themi 20 minuta pas shfaqjes së zjarrit, edhe pse këtë nuk e publikova. Zjarri ka nisur, nga ajo që mund ta shihja, për fat të keq tashmë 5 vjet i shoh këto punë, përgjatë rrugës magjistrale drejt pikës kufitare “Bllacë”, dhe me shumë gjasa është ose mbetje e cigares, ose ndezje e qëllimshme, nuk mund ta përjashtojmë as atë mundësi, dhe lëvizte lart drejt malit”, pohoi Stojançe Angelov, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim .
Autoritet thonë se ekziston rreziku për zjarre edhe në zona të tjera malore të vendit nga temperaturat e larta, por që edhe moskujdesi i faktorit njeri. Megjithëse nga 1 korriku deri më 31 gusht ka hyrë në fuqi ndalesa e plotë e lëvizjes nëpër male, pikërisht për të evituar zjarrvëniet e apo të pa qëllimshme. Nga Ministria e Bujqësisë thonë se për mosrespektimin e këtij ndalimi, individët që kapen duke lëvizur në male, në përputhje me nenin 106 të Ligjit për pyjet, do të gjobiten nga 1.500 deri në 2.000 euro.
