Heqja e qeverisë teknike, Mitrevski: Nevojitet konsensus mes katër partive më të mëdha

TË FUNDIT

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë mendon se çdo ndryshim në Ligjin për Qeverinë duhet të harmonizohet mes katër partive më të mëdha politike në Kuvend. Fakti që VMRO-DPMNE kërkon shfuqizimin e “Qeverisë së Përzhinos”, sipas LSDM-së, tregon se shteti sot është në gjendje të mbajë zgjedhje korrekte dhe demokratike.

“VMRO-DPMNE ishte kundër shfuqizimit të qeverisë teknike pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2016, edhe pse duhej të ishte vetëm për ato zgjedhje. Është mirë që tani VMRO-DPMNE pas një periudhe të tillë pranon se vendi ynë ka institucione që mund të bëjnë zgjedhje korrekte dhe demokratike dhe ndryshe nga viti 2016 kur vendi u kategorizua si i bllokuar, sot është një vend që mund të zbatojë  zgjedhje korrekte, demokratike dhe të lira të  pranuara nga të gjithë”, tha koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitrevski.

Ai sqaroi se në lidhje me propozimin e VMRO-DPMNE-së për “shfuqizimin e Qeverisë së Përzhinos”, LSDM konteston dy gjëra – së pari është kontestuese mënyra se si është dorëzuar propozimi, gjegjësisht partitë e tjera nuk janë konsultuar.

“Sipas Marrëveshjes së Përzhinos për ç’farëdo lloj ndryshime në Ligjin për qeveri duhet të ketë konsensus ndërmjet katër partive më të mëdha politike në Kuvend, ndërsa jo në mënyrë të tillë me vullnet e shprehur në mënyrë të njëanshme të njërës parti”, tha Mitrevski.

Momenti i dytë i diskutueshëm, siç tha ai, është koha e dorëzimit të këtij ligji.

“Të gjithë e dimë se zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk do të ketë. Në vitin 2024 do të ketë zgjedhje të rregullta dhe faktikisht ka kohë që katër partitë më të mëdha politike të diskutojnë dhe të kenë konsensus politik në lidhje me qeverinë teknike”, tha koordinatori i LSDM-së.

Ai shtoi se për mungesë ideje, VMRO-DPMNE në këtë periudhë të vështirë nuk ka çfarë të ofrojë veçse të bëjë një teatër politik për publikun.