Në grupin e punës ku do të diskutohet për futjen e bullgarëve në kushtetutë, do të flitet edhe tema e heqjes së 20% si definicion për shqiptarët. Këtë do ta propozojë Aleanca për Shqiptarët e cila do të shfrytëzojë rastin që një gjë e tillë të bëhet bashkë me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.
“Po, do të propozojmë ndryshimin e 20% dhe emërtimin e drejtë të gjuhës shqipe në Kushtetutë. Përshëndesim deklaratën e presidentit Pendarovski i cili i dha mbështetje propozimit tonë dhe ftojmë partitë e tjera që të ndjekin shembullin, t’u përmbahen zotimeve publike, të vijnë në grupet punuese dhe të korrigjojmë një herë e përgjithmonë këtë padrejtësi”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Por çka mendon për këtë propozim të partnerit të koalicionit ministri i Jashtëm Bujar Osmani. Sipas tij dilema e vetme është momenti kur kërkohet ky ndryshim, shton se duhet pasur kujdes që çështja shqiptare të mos përdoret nga dikush si alibi për bllokimin e integrimit europian të vendit.
“Unë nuk them që partitë politike nuk duhet t’i shtrojnë në komision gjitha temat, po atje ta bëjmë debatin, atje të bisedojmë nëse mendojmë që mundet ja unë me dy duar po jap mbështetje, por nëse e shohim se kjo mund të keqpërdoret atëherë të jemi të kujdesshëm se si e paraqesim interesin e komunitetit tonë, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Kreu i Besës Bilall Kasami në “Click Plus” foli për argumentet për heqjen e 20%, por nuk e pa të arsyeshme të dërgojë përfaqësues në grupin e punës që do të debaton mbi ndryshimet kushtetuese.
“Nëse ka një mirëkuptim të tillë nga ne si opozitë që të përkrahim ndryshimet kushtetuese dhe futjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë, ne presim në anën tjetër një përkrahje të tillë edhe nga partitë shqiptare dhe maqedonase që përfundimisht definicioni i 20% që është nënçmues të largohet nga kushtetuta”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
As Alternativa nuk dërgoi përfaqësues për ndryshimet kushtetuese. Nga kjo parti thonë se nuk mund të ketë grupe pune për t’i hartuar ose përgatitur ndryshimet kushtetuese derisa nuk ka konsensus politik ndërmjet partive politike për t’i mbështetur të njëjtat.
“Nëse dikush dëshiron ta shohë Alternativën pjesë të këtyre debateve, së pari duhet të ofrojë mundësi reale për konsensus politik dhe së dyti, në rend dite të jetë propozim-amendamenti kushtetues i Alternativës për luftë kundër korrupsionit politik”, thonë nga Alternativa.
Sipas ministrit Osmani, partitë që kanë ide për ndryshime kushtetuese dhe nuk marrin pjesë në grupin e punës këtë po e bëjnë vetëm për pikë politike.
“Nëse kanë qëndrime dhe nuk bëhen pjesë e komisionit ata nuk duan ndryshime kushtetuese, ata duan propagandë partiake politike për të mbledhur pikë politike se nuk ke ndryshe si e shpjegon. Unë dua ndryshime kushtetuese, mirëpo nuk dua të bëhem pjesë e platformës e cila është mbledhur për ndryshimet kushtetuese, është demagogji par-ekselancë dhe mendoj se qytetarët shumë lehtë i kanë deshifruar këto çështje”, shtoi Osmani.
Për presidentin e vendit Stevo Pendrovski është e pranueshme që të hiqet definicioni 20% për gjuhën shqipe nga Kushtetuta. Tha se do të ishte i pari që do e përkrahte një gjë të tillë, madje shtroi edhe pyetjen se pse duhet që identiteti i një etnie të fshihet pas numrave?
