Heqja e 20%, nga kërkesë po shndërrohet në kusht?! Ademi: Besa po i shërben VMRO-së dhe Levicës në momente vendimtare

TË FUNDIT

Heqja e termit 20% për gjuhën shqipe nga kërkesë tanimë po shëndrohet në kusht. Të paktën kështu la të kuptohet nga kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami i cili paralajmëroi se nuk e kanë për obligim t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese nëse nuk pranohet kërkesa e tyre për heqjen e 20%-shit për shqipen nga Kushtetuta.

Arbër Ademi nga Bashkimi Demokratik për Integrim kushtëzimin e Kasamit e quan kërcënim dhe thotë se Besa po flet me gjuhë të VMRO-së.

Në radhë të parë nuk duhet t’ia mbajnë iso-n VMRO-së dhe të flasin me gjuhën e tyre për të komplikuar procesin eurointegrues. Ky është shërbim që i bëhet VMRO-së dhe Levicës në këto çaste vendimtare. Çdo çështje mund të ngritet dhe për çdo çështje mund të diskutohet por jo duke kërcënuar e aq më pak duke bllokuar procesin eurointegrues në shërbim të Rusisë, VMRO-së e Levicës”, tha Arbër Ademi – deputet i BDI-së.

Nga LSDM gjithashtu shprehen që tani nuk është momenti të mbingarkohet situata me kërkesa të tjera por fokusi duhet të jetë te ndryshimet kushtetuese.


“Në këtë moment prioritet janë ndryshimet kushtetuese dhe konsiderojmë se tani kur para nesh kemi shans historik, nuk është koha që procesi të mbingarkohet. Mundet të bisedohet për gjithçka, por vlerësojmë se fokusi kryesor duhet të jetë pikërisht shfrytëzimi i kësaj mundësie, e këtij shansi historik e cila çon drejt anëtarësimit të plotë në BE”, thonë nga LSDM.

Kundër 20% është edhe VMRO-DPMNE. Deputetja e kësaj partie Eli Panova thotë se nuk jemi seriozë nëse nëpër pres konferenca flasin për çdo propozim.

“Ne aspak nuk mund të flasim për gjëra të cilat nuk i kemi parë. Nga ana tjetër themi se jemi kundër ndryshimeve kushtetuese të cilat ofrohen në këtë mënyrë dhe nën diktat bullgar. Kjo do të thotë se fare nuk duhet të bisedojmë për asnjë çështje tjetër sepse nëse pranojmë propozime të cilat jepen nëpër konferenca për media atëherë do të jemi joseriozë. Edhe këto propozim ndryshime për neve janë të papranueshme”, pohoi Eli Panova, deputete e VMRO-DPMNE-së.

Përndryshe heqjen e 20% nga Kushtetuta vazhdimisht po e kërkon edhe Aleanca për Shqiptarët. Arben Taravari para dy ditëve ka potencuar që ky term mohon identitetin shqiptar dhe konsideron që tani është momenti për të bërë këtë ndryshim.