Vrasja e hendbollistit kroat Denis Tot ka tronditur vendin, por rasti ende nuk po zbardhet plotësisht. 30 ditë paraburgim u shqiptuan për djalin dhe vajzën të cilët u akuzuan për vrasje, e të cilët dyshohen se i kanë shkaktuar lëndime trupore hendbollistit. Personi i tretë është në arrati.
Autoritetet fillimisht njoftuan se vdekja nuk ishte e dhunshme e më pas njoftuan se Tot ishte rrahur brutalisht, e sipas klinikës së kujdesit intenziv i gjithë dokumentacioni i është dërguar në inspektoratin shëndetësor. Por rasti i vrasjes së hendbollistit të vrarë ka filluar të merr dimension politik.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha se institucionet kompetente, në vend që t’а zbardhin rastin, e fshehin ngjarjen. Sipas tij dyshime shtesë kanë krijuar edhe deklaratat e ndryshme të MPB-së dhe mjekëve nga klinikë.
“Nuk ka nevojë që puna të politizohet. Ministria duhet thjesht të përgjigjet pse fshehu dhe pse heshti dhe pse institucionet përgjegjëse për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të tmerrshme nuk e zbardhin atë, por vazhdimisht po tentojnë ta vënë punën nën tepi”.
E nga LSDM thonë se është e turpshme që VMRO po politizon rastet e tilla, sidomos pas informacioneve se personi i kërkuar është përkrahës i tyre.
“Fotografitë flasin se personi që kërkohet është fotografuar me Hristijan Mickoskin, sipas logjikës të deformuar të VMRO-DPMNE-së? VMRO-DPMNE të pushojë së kërkuari mizën nga kapelja e saj dhe të lërë institucionet kompetente që ta zbardhin plotësisht vrasjen që tronditi rajonin. Sot askush nuk është i privilegjuar para ligjit, kushdo që ka kryer ndonjë vepër është përgjegjës para gjykatave kompetente”.
Hendbollisti kroat Denis Tot ka luajtur për klubin e hendbollit Butel. Më 7 prill të këtij viti ai u gjet pa ndjenja pranë një diskoteke në Shkup. Një ditë më vonë Tote vdiq në spital si pasojë e lëndimeve. Ai të martën do të varroset në Kroaci.
