Hekurudha që sfidoi rusët dhe shpëtoi më shumë se 4 milionë persona

TË FUNDIT

Dy janë institucionet që kanë luajtur një rol vendimtar në pengimin e planit të Rusisë për të pushtuar Ukrainën. Njëra është ushtria ukrainase që mbrojti me sukses Kievin, si dhe ka rimarrë pjesë të mëdha të territorit të pushtuara nga Moska, vitin e kaluar. E dyta është hekurudha. Ky rrjet, i treti më i madh në Evropë, është bërë një litar shpëtimi për vendin e shkatërruar nga lufta. Që nga fillimi i sulmeve, hekurudha ka transportuar 4 milionë njerëz dhe rreth 120.000 kafshë shtëpiake. Tetë milionë janë larguar jashtë vendit dhe 6.2 milionë janë zhvendosur brenda vendit, duke u kthyer në një nga krizat më të mëdha të refugjatëve në kontinent që nga viti 1945.

Linjat e trenave kanë ndihmuar edhe ushtarët të kthehen nga beteja dhe të kalojnë kohë me njerëzit e dashur. Morali i tyre është i lartë, në kontrast me kundërshtarët e demoralizuar rusë. Trenat gjithashtu evakuojnë të plagosurit, personelin e shërbimit, mjekët etj.

“Një udhëtim emocional”

Fotografi dhe gazetari holandez, Jelle Krings, ka dokumentuar aktivitetet e makinistëve, punonjësve të hekurudhave dhe pasagjerëve, gjatë një viti të jashtëzakonshëm në të cilin Ukraina ka sfiduar Rusinë. Fotografi, video dhe një film i shkurtër dokumentar do të paraqiten në ekspozitën “Iron People”. Imazhet prekëse dhe shpeshherë tronditëse, reflektojnë përpjekjet e një kombi që lufton për mbijetesën e tij.

Krings, 32 vjeç, ishte në Poloni, pranverën e kaluar, kur filloi sulmi gjithëpërfshirës i Rusisë. Ai shkrepi fotografi të refugjatëve, teksa dyndeshin përtej kufirit, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Në fillim të marsit, ai shkoi në Ukrainë, dokumentoi refugjatët teksa mbërritën nga lindja në stacionin qendror të Lvivit dhe intervistoi makinistët.

“Unë u frymëzova nga guximi i tyre dhe ndjenja e përgjegjësisë. Ata ishin njerëz të zakonshëm që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar të tjerët. Brenda natës, u bënë heronj shpëtimtar. Po të vëresh trenat, do të shohësh refugjatët që vështrojnë nga dritaret. Pamja e tyre nuk është gjë tjetër veçse pikëllim dhe humbje. Punëtorët e hekurudhave i ndihmojnë ata, duke marrë parasysh rrezikun dhe sakrificën. 

Sistemi hekurudhor tregon qëndrueshmërinë dhe besimin e Ukrainës si popull. Këtë mund ta shihni edhe te shoqëria ukrainase.”Jelle Krings, fotograf dhe gazetar

Krings foli edhe me punonjësit që restauruan shinat hekurudhore në vende të minuara apo të çliruara nga trupat ruse. Ai kaloi kohë me ta dhe makinistët e trenave, duke dëgjuar historitë e tyre të jetës nën bombardimet dhe pushtimin e armikut. Gazetari e përshkroi procesin e redaktimit të fotografive të tij si një “udhëtim emocional”. Iu desh të shkrepte dhe editonte imazhe shumë të rënda, si ajo e e një gruaje që u rrëzua dhe vdiq, pasi hipi në një tren të mbushur plot.