Haradinaj: Unioni Kosovë-Shqipëri do të ketë parlamente të ndara, por me një president dhe kryeministër

TË FUNDIT

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati për president të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili disa ditë më parë tha se nëse Kosova nuk është pjesë e NATO-s deri në vitin 2025, ai do të kërkojë referendum mbi bashkimin me Shqipërinë, në një intervistë ekskluzive për televizionin “Ora Njuz”, Haradinaj dha detaje rreth Unionit të përbashkët Kosovë – Shqipëri.

“Edhe Kosova edhe Shqipëria do të mbajnë zgjedhje të ndara dhe do të kenë Kuvendin e tyre, por ne duhet të kemi një president. Do të ketë gjithashtu zgjedhje të Unionit për Kuvend të përbashkët, me një president të vetëm dhe kreun e qeverisë kombëtare. Ne do të mbajmë zgjedhje Kosovë-Shqipëri për veten tonë, por do të kemi gjithashtu edhe zgjedhje të përbashkëta në Union”, shpjegoi Haradinaj.

Sipas tij, Shqipëria do të mbajë Kuvendin, Kosova do të ketë gjithashtu Kuvend, por gjithashtu “ne duhet të kemi Kuvend të përbashkët dhe pastaj duhet të kemi një president, jo dy dhe një kryeministër”.

“Mënyra e përcaktimit të Unionit, në mënyrë kushtetuese, duhet të bëhet me konsulta të ndërsjella në mënyrë që të mos garojmë me njëri-tjetrin në treg, por ta bëjmë së bashku. Në mënyrë që do të respektohet, që do të jetë funksionale, racionale, ne do të marrim modele, do të marrim ndihmë nga aleatët për të na treguar se çfarë është më mirë. Për shembull, Akademia Ushtarake “Skendërbeu”, ne nuk mund të kemi arsye për të pasur dyfishim të plotë të punës që bëjmë së bashku dhe besoj se kështu do të funksionojmë”, tha Haradinaj.

Në konstatimin e gazetarit se ai ka përvojë në bërjen e zgjedhjeve të mira, Haradinaj iu përgjigj “të shohim, le ta ruajmë këtë cilësi edhe në këto zgjedhje, nëse e ruajmë atëherë po, ke të drejtë”.