Haraçina në pritje të asfaltit! Kanalizimi atmosferik u instalua, por rrugët mbetën të shkatërruara!

TË FUNDIT

“Gjendemi në Haraçinë, më konkretisht afër xhamisë qendrore, pra siç e shihni kjo rrugë tash e disa muaj është në këtë gjendje pas ndërtimit të kanalizimit atmosferik”, raporton gazetarja e TV21, Fazile Halili.

Pluhur i madh, zhavor dhe pjesë të vogla të asfaltit, ndërsa veturat mezi po kalojnë.

Që kur u gërrye asfalti për tu ndërtuar kanalizimin atmosferik, rrugët mbetën të shkatërruara përplot me gropa. Banorët ankohen se po u prishen veturat, andaj kërkojnë alternativa për ta shmangur këtë rrugë.

“Kjo rrugë është prish gati 1 vit, askush nuk interesohet! Shkova në haxh erdha, pasi që u ktheva thash do ta gjej të rregulluar por nuk e gjeta. 1 muaj i kam bërë si kam ardh por asgjë! Unë i kam 3 vetura, këtu veturat e mia asnjë ditë nuk kalojnë të gjithë shkojnë prej atje poshtë, ose dalin prej andej lartë dhe kthehen përsëri poshtë”, banor i Haraçinës.

Kryetari i Haraçinës Ridvan Ibrahimi tha se janë në fazën e fundit me ndërhyrjet për kanalizimin, ndërsa shtoi se së shpejti përfundon edhe procesura për furnizimin publik që përfshin asfaltimin.

“Në atë rrugë kemi realizuar disa faza të ndërhyrjes infrastrukturore. Fillimisht kemi rregulluar kanalizimin atmosferik dhe kemi bërë rikonstruimin e rrjetit të ujësjellësit sepse ka qenë një nga pikat nevralgjike të rrjetit ku janë paraqitur defektet më të shpeshta dhe këto kanë qenë dy faza që kanë përfunduar. Kurse momentalisht jemi në fazën e fundit, këto ditë janë duke rrjedhur afatet ligjore për furnizim publik që përfshin asfaltimin e tërësishëm të rrugës 14 dhe shteg për këmbësorë”, tha Ibrahimi.

Sot në Haraçinë ishte zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, i cili tha se Qeveria ka ndarë
53 milion denarë për rrugët dhe rrugicat e Haraçinës dhe se me siguri edhe kjo rrugë do të përfshihet në këto fonde.