Hapja e kufijve, huti për udhëtarët! Në Tabanoc 4 autobus mbetën të bllokuar

TË FUNDIT

Kufijtë e Maqedonisë së Veriut u hapen sot  për hyrje dhe dalje. Këtë e bëri të ditur dje Qeveria.

Me të dëgjuar lajmin shumë qytetarë kanë rezervuar bileta udhëtimi, ndërsa disa agjenci kanë hapur linjat për udhëtime jashtë vendit.

Por në dekretin e miratuar të Qeverisë nuk është theksuar se autobusët nuk mund të organizojnë udhëtime, me çka udhëtarët që u nisën sot mbetën të bllokuar në kufi.

Vetëm 4 autobusë ishin të bllokuar nga një agjenci e cila kokë në vete kishte organizuar udhëtime.

Në ndërkohë biseduam me një pronar të një agjencie tjetër. Ai thotë se agjencitë nuk duhet të manipulojnë me udhëtarët duke u shitur atyre bileta, derisa kufijtë nuk hapen plotësisht.

“Ne u interesuam nëpër të gjitha pikat ku kalojmë dhe pikat kufitare dhe pika kufitare Tabanoc na u drejtua kështu i citoi fjalët e tyre “mos gabo të niseni se ende nuk ekziston protokoll për autobusë”. Ne dje kemi pasur në të gjitha punktet tona zyrat ku i kemi në Maqedoni, Gjermani mijëra telefonata, njerëzit mendonin se janë hapur kufijtë, kufijtë janë hapur por kanë lehtësime për vetura ndoshta po për autobus nuk lejohet absolut. Për fat keq një pjesë e agjencive turistike bëjnë aventurë në kurriz të udhëtarëve,” tha Xhumali Bajrami “Nasri Turs”.

Tv21 pyeti Qeverinë se me hapjen e kufijve a mundet që autobusët me udhëtarë të kalojnë kufirin tonë. Nga Qeveria thonë se ende mbetet në fuqi vendimi për ndalesë dhe nuk mundet që agjencitë të organizojnë transport.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce tha se gjatë fundjavës do të bisedohet nëse do të mund që autobusët të organizojnë udhëtime.

“Sa i takon hapjes së tërësishme të kufijve kemi caktuar termin gjatë fundjavës por edhe në koordinim dhe konsultim me të gjithë shtetet tjera fqinjë në përputhje me gjendjen epidemiologjike të virusit si tek ne ashtu edhe tek ata,” Venko Filipce, ministër i Shëndetësisë.

Mbrëmë Qeveria e Maqedonisë së Veriut solli vendim që duke nisur nga sot, 17 qershor, të hapen të gjitha vendkalimet kufitare, duke respektuar masat në fuqi.

Gjatë hyrjes është e domosdoshme të tregohet test PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë dhe nëse keni test PCR negativ, duhet të nënshkruani deklaratë për izolim të detyrueshëm shtëpiak në periudhë 14 ditore ku kontrolle pastaj do të bëj Ministria e Punëve të Brendshme.

Nëse personat që do të hyjnë në vend nuk kanë test PCR negative me koronavirus atëherë mbetet në fuqi masa për karantinë shtetërore në kohëzgjatje prej 14 ditësh .Po ashtu mbetet mundësia që qytetarët që janë në karantinë shtetërore dhe që duan të testohen me test PCR, sipas kërkesës së tyre, e njëjta t’u mundësohet në afat sa më të shkurtër nga ana e autoriteteve kompetente.