Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se zgjedhja e Presidentit të vendit nuk është çështje e një partie të vetme, por përgjegjësi e përbashkët e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve. Përmes një reagimi publik, Hamza ka bërë të ditur se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti për të diskutuar rreth zhvillimeve politike dhe procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri.
Në lidhje me: Takohen Kurti e Hamza, flasin për çështjen e presidentit
“Zgjedhja e Presidentit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithë neve si përfaqësues të zgjedhur të popullit. Për këtë arsye, sot iu përgjigja pozitivisht ftesës së z. Kurti për të diskutuar për zhvillimet politike dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit. Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese. Uroj që të ketë reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë. Për ne, interesi shtetëror është mbi çdo kalkulim politik dhe këtë standard e mbrojmë me vendosmëri”, ka shkruar Hamza.
