Kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, drejtuesit e ndërmarrjeve hekurudhore si dhe punonjësit e tyre, këtë mëngjes, të shoqëruar nga mediat, u nisën me trenin urban nga stacioni hekurudhor në Zelenikovë drejt Shkupit, përcjell TV21. Udhëtimi simbolik u zhvillua me rastin e promovimit zyrtar të projektit “Treni urban”, në linjën e parë nga tre të planifikuara, e cila kalon nëpër Zelenikovë – Zelenikovë e Re – Oreshanë – Jane Sandanski – Draçevë – Lisiçe dhe përfundon në Stacionin e Ri Hekurudhor në Shkup.
Projekti “Treni urban” është një ide e kësaj Qeverie, me qëllim që qytetarët e Shkupit, si nga zonat periferike ashtu edhe nga pjesa qendrore e qytetit, të kenë transport publik më të shpejtë, më efikas dhe më të përballueshëm.
Qëllimi është lidhja e pjesëve periferike të Shkupit me zonën qendrore të qytetit, që do të mundësojë udhëtime më të lira, kohë më të shkurtër udhëtimi, më pak pritje dhe transport publik më të shpejtë.
“Hekurudhat Infrastrukturë” ka kryer një rikonstruksion të plotë të linjës hekurudhore për nevojat e projektit “Treni urban”, me qëllim rritjen e nivelit dhe kapacitetit të shpejtësisë në këtë relacion.
Qarkullimi në linjën Zelenikovë – Stacioni i Ri Hekurudhor në Shkup do të realizohet me tre trena, sipas një orari të përcaktuar saktësisht nga MZ “Transport”.
Ndërkohë, po punohet edhe në projektimin e linjës së dytë dhe të tretë të “Trenit urban”. Njëra do të lidhë Stacionin e Ri Hekurudhor përmes Butelit dhe Shkupit-Veri me Gjorçe Petrovin, ndërsa tjetra do të kalojë përmes Autokomandës dhe Maxharit deri në Ilinden.
Relacioni i parë Shkup-Zelenikovë përshkruhet për 20 minuta. 40 denarë kushton bileta për një drejtim, 70 kthyese ndërsa 1400 denarë bileta mujore.
