Abdixhiku vazhdon kritikat për 6 deputetët e LDK-së që refuzuan propozimin për president: Për çfarë po rrahin gjoks?

TË FUNDIT

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka vazhduar kritikat ndaj gjashtë deputetëve të partisë së tij, të cilët kundërshtuan marrëveshjen e propozuar me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) lidhur me kandidaturën e Bekim Sejdiut për President të Kosovës.

Abdixhiku ka thënë se Avdullah Hotit, Hykmete Bajramit, Arben Gashit, Kujtim Shalës, Armend Zemaj dhe Janina Ymerit ua “zgjat dorën” për sic tha, shkaktimin e dëmeve për Kosovën.

Ai ka kundërshtuar pretendimet se të njëjtit kanë refuzuar një marrëveshje qeverisëse mes LDK-së dhe LVV-së, duke theksuar se një marrëveshje e tillë nuk ka ekzistuar dhe se LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në opozitë.
Sipas Abdixhikut, ajo që është refuzuar ka qenë kandidati i propozuar nga LDK-ja për president të Kosovës, ndërsa si pasojë e këtij veprimi, vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.

“Prandaj, për çfarë po rrahin gjoks? Çfarë paskan shpëtuar?”, ka shkruar Abdixhiku në një postim në Facebook.

Ai ka akuzuar gjithashtu grupe të tjera politike se po ndikojnë në zhvillimet brenda LDK-së, duke thënë se zgjedhjet e reja nuk kanë qenë as agjendë dhe as kërkesë e anëtarësisë së partisë.

Ky është postimi i plotë i Abdixhikut:

Mirëmëngjesi, Kosovë!

Dje nuk u refuzua asnjë marrëveshje qeverisëse me VV-në, sepse një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte. LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në OPOZITË. Të gjithë deputetët tanë ishin pajtuar me këte pozicion.

Prandaj, për çfarë po rrahin gjoks?

Çfarë paskan shpëtuar?

Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja.

Dëm mund të bëjë çdo kush.

Për këtë, ja dora!

Por siç ju kam thënë në vitin 2020, kur u verbuat dhe sollët LDK-në në 12%; po ju them dhe tani, ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së. Se si nuk e shihni këtë, se si nuk ndjeni këtë fat, se si ndiheni të përmbushur nga lëvdatat e atyre që gjithë jetën janë anti-LDK, këtë nuk e kuptoj!

Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë. Por tash e sa muaj, ato kanë qenë agjendë e qartë e grupeve të tjera politike, të cilat, siç duket, tashmë po ndikojnë edhe në rrjedhat tona me sukses.

Për këtë ndiej vetëm keqardhje!

Por jo dorëzim. Jemi shumë. Jemi në të drejtë. E kemi detyrim. Republika megjithate do të triumfojë!