Çështja e deponisë në Kërçovë arriti deri në kallëzim penal ndaj drejtorit dhe 4 të punësuarve si shoferë kamionësh të ndërmarrjen komunale që menaxhon me mbeturinat. Në njoftimin e MPB-së drejtori Zenel Jonuzi dyshohet se nga viti 2020 e deri më sot ka krijuar deponi të egër në një zonë të banuar të qytetit duke vepruar në kundërshtim me ligjet për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës.
“Është ngritur kallëzim penal ndaj Z.J. (49), drejtor i NP ‘Komunalec’, për shkak të dyshimeve për kryerjen e dy veprave penale, ‘punë e papërgjegjshme në detyrë’ dhe ‘rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës me lëndë të dëmshme’. Kallëzim penal është ngritur edhe ndaj B.B. (49), S.A. (49), D.J. (56) dhe F.T. (62), të punësuar si shoferë në NP ‘Komunalec’, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale ‘rrezikim i mjedisit dhe natyrës me mbeturina’”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Drejtori i ndërmarrjes Zenel Jonuzi thotë se ajo nuk është deponi, por qendër për ngarkim shkarkim të mbeturinave, ndërsa për padinë nuk ka fjalë, jo për veten e tij, por pse duhej të përfshiheshin punëtorët?!
“Konkretisht në duar nuk kam asnjë lloj aktpadie, më vjen çudi dhe u habita se përse punëtorët? Në qoftë se ka ndonjë shkelje jam unë ai që duhet të përgjigjet, unë jam drejtori i Ndërmarrjes dhe punëtorët nuk kanë asnjë lloj përgjegjësie për të gjithë atë çfarë ndodhë”, deklaroi Zenel Jonuzi, drejtori i NP “Komunalec” – Kërçovë.
Jonuzi këtë e cilëson si hakmarrje politike.
“Është një hakmarrje politike nga njeriu i cili dikur ka qenë i përndjekur dhe tani i përndjekuri bëhet përndjekës””, tha Zenel Jonuzi, drejtori i NP “Komunalec” – Kërçovë.
Kjo çështje është hapur pasi u mbajtën disa protesta radhazi nga një grup qytetarësh në Kërçovë. Ankoheshin për mbledhjen e mbeturinave në qytet, të cilat në fakt më pas barten në Rusino.