Guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov pranoi sot se kriza politike në Maqedoni ka efektet e saj edhe në planin ekonomik dhe financiar. Ai këtë e theksoi sot në Forumin rajonal për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore për përfshirje financiare.
Sipas tij, pas një ose deri dy javësh, ky institucion do të dal me projeksion të ri për rritje ekonomike gjatë këtij viti.“Gjithsesi se pasiguria politike po ndikon negativisht dhe shpresoj se shumë shpejt do të tejkalohet kjo situatë, për shkak se agjentët ekonomik kanë nevojë për siguri dhe një ambient stabil operativ i punës. Ne në prill kemi dal me projeksionin për rritje ekonomike prej 4,1 për qind për këtë vit. Tashmë është e qartë se kjo nuk do të realizohet, gjegjësisht do të jetë më e ulët. Momentalisht po bëjnë projeksionet dhe për një ose dy javë publikisht do të shprehim pritjet e tona më të reja për rritje ekonomike gjatë këtij viti dhe gjatë vitit të ardhshëm”, theksoi Bogov
