Guteresh bën thirrje që të rritet financimi i Kovaks me qëllim që vaksinat të jenë të kapshme edhe për më të varfrit

TË FUNDIT

Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh paralajmëroi se “nacionalizmi për vaksinim” është në jehonë të plotë, duke i lënë njerëzit e varfër në mbarë botën vetëm t’i shohin përgatitjet për vaksinim kundër koronavirusit në vendet e pasura dhe të pyeten nëse dhe kur do të vaksinohen.

Shefi i KB-së e përsëriti thirrjen e tij që ndaj vaksinave të shihet si ndaj “të mirës globale publike”, të kapshme për të gjithë, çdo kund në planet, posaçërisht në Afrikë.

Ai bëri thirrje që në muajt në vijim të investohen edhe 4,2 miliardë dollarë amerikanë në programin Kovaks të Organizatës botërore të shëndetësisë për ndihmë në blerjen dhe distribuimin e vaksinës kundër Kovid-19, në mënyrë që të ndihmohen njerëzit më të varfër në botë.

Pas takimit onllajn të Kombeve të Bashkuara me Unionin afrikan, Guteresh në konferencë për shtyp tha se financimi i programit Kovaks është mënyra e vetme për t’u garantuar se vaksinat do të jenë të kapshme në Afrikë dhe vende të tjera në zhvillim.

Shefi i OBSH-së, Tedros Adanom Gebrejesus, në takimin e Asamblesë së përgjithshme të KB-së për Kovid-19 javën e kaluar tha se “përparimi në vaksinat jep shpresë se edhe në fund të tunelit shihet dritë” për përfundimin e pandemisë, por shtoi se vaksinat “duhet të ndahen njejtë si e mirë botërore publike, e jo si mall privat që e rritë pabarazinë”.

Britania e Madhe dhe Rusia tashmë filluan vaksinim kundër koronavirusit. Në SHBA vaksina e Fajzer mund të marrë dritë të gjelbër për përdorim urgjent në ditët në vijim, ndërsa vaksina e Modernës në javët në vijim.

Guteresh tha se 54 vende afrikane regjistruan mbi 2,2 milionë raste të të infektuarve me koronavirus dhe mbi 53.000 raste të vdekjes nga Kovid-19.

Ai shfaqi shpresë se vaksinat, në kombinim me masa të tjera për shëndet publik, do të ndihmojnë të tejkalohet pandemia, por prandaj duhet të jenë të kapshme për të gjithë.