Guangzhou zbret nga froni Atlantën, ndër 10 aeroportet më të ngarkuara në botë 7 janë kineze

TË FUNDIT

Aeroporti Ndërkombëtar “Baiyun” i Guangzhou-t ka zënë vendin e Aeroportit Ndërkombëtar “Hartsfield-Jackson” të Atlantës, duke u shpallur aeroporti më i ngarkuar në botë për vitin 2020, sipas renditjes paraprake të trafikut të aeroporteve të publikuar të enjten nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve. Ndërkohë, shtatë ndër dhjetë vendet e para në këtë renditje zihen nga aeroportet kineze, dhe tre të tjerat nga ato amerikane.

Aeroporti Ndërkombëtar “Baiyun” i Guangzhou-t ngjitet kështu me dhjetë vende në krahasim me vitin 2019, ndërkohë që aeroporti i Atlantës “lëshon fronin” pas shpalljes për 22 vjet rresht si aeroporti me trafikun më të madh në botë.

Sipas analistëve, ndryshimet në renditje kanë ardhur nga ndikimi i epidemisë së COVID-19 në mbarë botën, por edhe nga fakti që Kina e ka vënë shpejt dhe me efektshmëri nën kontroll këtë epidemi.

Ndërkohë, në një program muajin e kaluar për cilësinë e shërbimit, të organizuar po nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve, Aeroporti Ndërkombëtar “Baiyun” i Guangzhou-t zuri përsëri vendin e parë ndër 348 aeroporte të botës.

Gjashtë aeroportet e tjera kineze të përfshira në listën e aeroporteve më të ngarkuara në botë janë ato të Chengdu-së, Shenzhen-it, Aeroporti Ndërkombëtar i Kryeqytetit i Pekin-it, aeroporti i Kunming-ut, Aeroporti Ndërkombëtar “Hongqiao” i Shangait dhe aeroporti i Xian-it. Ndër to, rritjen më spektakolare e ka pasur Aeroporti Ndërkombëtar “Hongqiao” i Shangait, i cili renditet i gjashti, nga vendi i 46-të që zinte në vitin 2019.